Letër, në ditën e parë të shkollës!
Shkruan: Elizabetë Qarri
Të dashur nxënës, mësues e prindër!
Sot, në ditën e parë të shkollës kur të gjithë njëlloj po ndjejmë emocionet e vitit të ri shkollor, jemi krenarë që me duar e mendjen tonë po shkruajmë një të ardhme të re, për një shpresë e rrugëtim të përbashkët. Në kohët më të vështira, kur botës i dëshmuam se arma jonë më e shenjtë është edukimi, bartëm nxënësit nga një lagje në tjetrën, nga një shkollë-shtëpi në tjetrën. E bëmë sepse ishte qëndresa jonë e fortë për të vërtetën më të kulluar, që në mendjet tona skaliti fort një maksimë, se edukimi është themeli nga i cili nis gjithçka.
Sot, më të ndërgjegjshëm se kurrë, mësuam se të edukosh në një kohë krizash sociale e politike, ekonomike, morale e kulturore, nuk është mision i lehtë. Jemi të ndërgjegjshëm se puna vetëmohuese është pararojë e vetëdijes së lartë në shoqëri, rrugë e vetme për një qytetërim prosperues. E sotmja dhe e nesërmja jonë përkufizohen vetëm me edukim cilësor, me shkolla cilësore e mësues të motivuar.
Ne duam që shkollat tona të depolitizohen, t’i mbajmë larg mentaliteteve shfrytëzuese e konsumuese, atyre që denigrojnë vlera e shkaktojnë kriza në shoqëri. E krizat nuk tejkalohen pa afirmim të dijes, imperativ që duhet synuar të gjithë. Ne kemi nevojë për shkolla të reformuara e demokratizuara.
Sot, në ditën e parë të shkollës, kujtojmë shumë fëmijë që pa fajin e tyre bankat e shkollës i zëvendësuan me trotuaret e rrugëve, në udhëkryqet e ekzistencës së familjeve që dergjen nën mëshirën e egër të varfërisë. Sot, jemi solidarë e bashkëndjejmë me të gjithë fëmijët njëlloj. Me unitet shpirtëror e moral, ndajmë bashkë si gëzimin ashtu edhe dhembjen, duke mos harruar asnjëherë familjet shqiptare që nuk kursyen kurrë për shkollimin e fëmijëve.
Të përmalluar, kujtojmë edhe ata nxënës që sot nuk patën fatin të shtrëngojnë duart me shoqet e shokët e klasës. Të përlotur e për një jetë më të denjë, braktisën bankat e shkollës dhe bashkë me familjet e tyre, mërguan e u shpërndanë në ç’do cep të botës. Duke mos e ditur se në ç’drejtim po nisen, lanë prapa vetëm shkëlqimin e syve të pafajshëm, për t’i kujtuar sot e gjithnjë me shumë mall.
Të dashur nxënës, mësues e prindër!
Le të nisim sot rrugëtimin më të ri për sendërtimin e një shoqërie me vlera, një shoqërie ku injoranca e padituria nuk zënë vend, një shoqërie ku garën e bëjnë të diturit e fituesin meritorët, një shoqërie ku suksesin e përcaktojnë të mençurit e jo të pasurit. Le të nisim këtë rrugëtim drejt një shoqërie, ku të shpallesh fitues do të thotë ti shpallësh luftë manipulimit e mashtrimit.
Le të mësojmë se e vërteta nuk gjendet gjithmonë tek realiteti, por tek krahasimi i realitetit me mundësitë e reja. E mundësitë e reja, shpeshherë rimëkëmbin shoqërinë, kthejnë dinjitetin e komunikimin e vërtetë njerëzor. Platoni shkruan: “Drejtimi në të cilin njeriu fillon edukimin e tij, i vendos gjithë të ardhmen e tij”.
Ndaj, le të nisim sot këtë rrugëtim të përbashkët, duke besuar e shpresuar në ligjësitë e një edukimi të suksesshëm, një edukimi që shtyn drejt prosperitetit dhe transformimit shoqëror, me virtyte e vlera që ngrenë lart dinjitetin njerëzor.
Gëzuar, ditën e parë të shkollës!
(Autorja është doktorante e edukimit dhe ligjëruese universitare)