Letër publike deputeteve dhe deputetëve të Parlamentit të Kosovës
Shkruan: Rrahman Jashari
Të nderuara deputete , të nderuar deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës ,një veprim i gabuar, i bërë me apo pa qëllim, nga Qeveria e që u prit me entuziazëm e duartrokitje nga shumë deputetë dhe nga një pjesë e popullit ishte Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit ekzistues për skemat penionale të financuar nga shteti. Pjesë e këtij gabimi u bë edhe presidentja e Kosovës, e cila dekretoi më 14.08. 2023 këto ndryshime të kthyera në Ligj.
Nuk mund të besoj se cila do deputete, apo cili do deputet shqiptar do të votonte këto ndryshime sikur t’i lexonte me vëmendje e të mos ishte i magjepsur nga bindja se po përmirësohej një padrejtësi që u ishte bërë të dëbuarve dhunshëm nga puna. Nuk besoj se në Parlament të Kosovës do të kalonte ndryshimi që sjell Neni 3, i cili thotë se :” fshihet paragrafi 6 i nenit 8 të Ligjit bazik”. Paragrafi 6 në Ligjin bazik , nr.04/L-131 , e ka pranuar një të drejtë legjitime të punëtorëve të arsimit të viteve të 90-ta dhe thotë: “Me këtë ligj u njihet stazhi i punës për pension kontributdhënës për vitet 1989-1999 punëtorëve të arsimit, të shëndetësisë dhe të tjerëve që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës”. Kjo e drejtë iu pranua punëtorëve të arsimit shqip për ato vite nga Deputetët sepse ata e dinin, dhe shumë nga ata e kanë përjetuar atë kohë, që punëtorët e arsimit shqip gjatë gjithë viteve të 90-ta kishin punuar të përballur me dhunën , përndjekjet, burgosjet e me vrasjet nga pushtuesi serb. Punëtorët e arsimit të atyre viteve e mbajtën gjallë arsimin shqip dhe procesi mësimor nuk u ndal as edhe për një moment sepse aty nuk lejonte pushtuesi të mbahej mësimi në shkolla, u punua në shtëpitë shkolla. Pra, këto vite u pranuan si kontribut dhënëse , jo si sadaka a peshqesh nga shteti, po sepse punëtorët e arsimit punuan në atë kohë dhe ata nuk ia kishin ngenë të mendonin për kontribute pensionale , po angazhoheshin në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar “Naim Frashëri”, në kuadër të SBASHK-ut dhe bashkë me Aktivin e Drejtorëve për të mos u ndalë as edhe për një ditë mësimi në ato kushte të tmerrshme e për ballë dhunës së paparë të pushuesit e me shpresën se kur të agojë liria shteti ynë do ua pranojë ato vite si kontributdhënëse dhe kjo edhe ndodhi deri në momentin Ligjit Bazik.
Andaj, në emër të punëtorëve të arsimit të atyre viteve i lus deputetët e pozitës dhe opozitës që të angazhohen dhe këto ndryshime të gabuara të Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti t’i kthejnë për debat në parlament dhe të merren vendime të duhura për vitet e 90-ta. Deputetët të lexojnë me kujdes ndryshim- propozimet dhe të veprojnë drejt e të mos mbesin pre e këtij gabimi të Qeverisë, që mund të jetë bërë me qëllim.
(Autori është kryetar i SBASHK-ut)