Letra e Gërvallës për KiE-në, Gashi: Është veprim politikisht dhe taktikisht i gabuar
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar pasi kryediplomatja Donika Gërvalla ka dërguar një zotim të ri në Këshill të Evropës për zbatimin e Asociacionit.
Para fillimit të seancës se sotme, Gashi ka thënë se kjo letër është e çuditshme nga kuptimi përmbajtjesor dhe procedural
Ai ka treguar problemet që ka kjo letër.
“Letër e çuditshme nga kuptimi përmbajtjesor dhe procedural. Kjo letër dërgohet pasi Kosova ka mbetur jashtë diskutimit të Komitetit të Ministrave. Problemi i dytë është që kjo letër i drejtohet personit të gabuar. Asambleja Parlamentare e ka kryer punën e vet, nuk ke pse t’i thuash atij për Asociacionin. Një përgjigje natyrale e kryetarit të Asamblesë Parlamentare do të ishte ‘pse ma ke dërguar një letër mu’, kur kjo është jashtë fushës së Asamblesë Parlamentare”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, ky veprim është politikisht dhe teknikisht i gabuar.
“Raporti i Asamblesë Parlamentare nuk parasheh kërkesën për themelimin e Asociacionit. Pastaj problemi i tretë është deklarimi se do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të muajit. Pse është lënë deri në fund të muajit kur është ditur qe gjashtë muaj që mbledhja e Komitetit të Ministrave do të mbahet më 16 dhe 17 maj. Është veprim politikisht dhe taktikisht i gabuar dhe humbje për Kosovën. Kosova e ka humbur mundësinë që të merret vendim pozitiv për të në Këshill të Evropës”, ka thënë Gashi.