Letra e Madeleine Albright për vajzat e Kosovës
Të dashura vajza të Kosovës,
Është nder të ju shkruaj juve – gjeneratës së ardhshme të diplomateve, aktivisteve dhe udhëheqëseve në Kosovë.
Kam vizituar shumë vende përgjatë jetës sime. Në fakt, sa kam shërbyer si Sekretare e Shtetit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kam fluturuar mbi një milion milje dhe i kam vizituar 120 shtete. Kam mundur që të fluturoj rreth botës mbi 40 herë me atë distancë. Nga të gjitha vendet në të cilat kam qenë, Kosova dhe populli i saj janë të veçanta për mua. Sa herë e kam vizituar shtetin tuaj, jam frymëzuar nga rimëkëmbja dhe vendosmëria e popullit, posaçërisht ajo e grave dhe vajzave të Kosovës.
Si shumë amerikanë, as unë nuk jam autoktone në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fakt, kam lindur në një vend që është më afër Kosovës se sa Washington D.C.-së, në atë që dikur njihej si Çekosllovaki. Sidoqoftë, afër dy vjet pasi kam lindur, trupat e Adolf Hitlerit marshuan në kryeqytetin e Pragës.
Babai im atëkohë ishte diplomat dhe ishte i pavullnetshëm të bashkëpunonte me nazistët. Prandaj, prindërit e mi ikën për në Angli ku edhe qëndruam gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kujtimet e mia të para ishin grumbullimet në një strehimore bombash gjatë sulmeve ajrore, ku këndonim këngë me fqinjët tanë britanikë, dhe e prisnim njoftimin: “Nuk ka më rrezik!”
Isha vetëm tetëvjeçare kur lufta përfundoi dhe u kthyem në Pragë, ku bëja sikur isha Winston Churchill, duke folur gjuhën çeke me theks britanik. Pasi mbaruan luftimet, unë dhe prindërit e mi prisnim që ta rinisnim jetën tonë në vendlindje. Por brenda pak vitesh, qeverisjen e Çekosllovakisë e morën komunistët. Edhe njëherë familja ime u detyrua të kërkonte azil, por këtë herë duke lundruar përgjatë Atlantikut për një shtëpi të re dhe mirëpritëse.
Nuk shkoi shumë kohë dhe ne u shpërngulëm në Kolorado ku babai im ndihmoi në themelimin e fakultetit për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Denverit. Aso kohe, ambicia ime më e madhe ishte që të përshtatesha me shokët dhe shoqet e mia të klasës. Nuk doja asgjë më shumë se sa të isha një adoleshente e çiltër amerikane. Kjo do të thoshte se duhej ta hiqja theksin tim evropian, të mësoja se si të përtypja çamçakëz, dhe t’i bëja lutje – të pasuksesshme – nënës time që të më linte ta kaloja natën te shoqet e mia.
Përgjatë asaj kohe kurrë nuk e kisha imagjinuar se një ditë do të bëhesha sekretare e shtetit në Amerikë. Jo pse më mungonte ambicia. Thjesht nuk e kisha parë kurrë një sekretare shteti të veshur me fund.
Në janar të 1997-ës, unë e dhashë betimin për sekretare shteti pasi u nominova nga Presidenti Bill Clinton. Kurrë nuk e harroj kur shkova në zyrën time të re për herë të parë. Që të arrije aty, duheshe të ecje përgjatë një korridori të gjatë ku varen portretet e sekretarëve të kaluar, shumica e të cilëve kishin mjekra. E paramendoja për një çast se muret po dridheshin – një çikëz – derisa unë, gruaja e parë Sekretare e Shtetit, po ecja përgjatë atij korridori dhe tash po zija vend në mesin e këtyre burrave mjekroshë.
Kur kthej kokën prapa, më duket e pazakontë që Shtetet e Bashkuara nuk e kanë pasur një ambasadore grua deri në vitin 1949. Dhe deri në vitin 1973, secila Zyrtare e Shërbimeve të Huaja ishte pushuar nga puna menjëherë pasi që ishte martuar. Përgjatë pjesës më të madhe të historisë sonë, e vetmja mënyrë që një grua mund të linte përshtypje diplomatike ishte ta derdhte çajin aksidentalisht në prehrin e ambasadorit.
Falë Presidentit Clinton, e kisha mundësinë që ta ndryshoja këtë gjë dhe isha e vendosur që ta bëja më të mirën e mundshme. Shumë përgjegjësi vijnë me të qenurit Sekretare e Shtetit: ai ose ajo është personi i tretë për nga rangu në qeverinë e SHBA-së (pas presidentit dhe zëvendëspresidentit), mbikëqyr politikat e jashtme të shtetit, dhe është lidere e Departamentit të Shtetit. Kur shikoj prapa, jam krenare që ne mundëm të arrinim aq sa arritëm – duke e zgjeruar aleancën e NATO-s, duke e përmbysur krizën financiare aziatike, duke e promovuar demokracinë dhe duke e përkrahur zgjerimin e tregut ndërkombëtar.
Njëra prej pyetjeve që ma kanë shtruar më së shumti ka qenë: për çfarë je më së shumti krenare? Secilën herë e jap përgjigjen e njëjtë: Kosova.
Kurrë nuk e harroj kur isha në Prishtinë mbi njëzet vjet më parë, pasi konflikti kishte përfunduar, dhe po flisja prapa një furgoni anti-plumb. Teksa po i drejtohesha turmës, më kujtohet që i analizoja njerëzit përballë meje. Mendoja për ata që i kisha parë në kampet e refugjatëve, dhe për të tjerët që i kisha parë në gazeta dhe televizion – fytyra të tendosura nga mundimi, të shformuara nga frika, apo të mbushura me ankth teksa familjet po kërkonin të dashurit e tyre që ishin zhdukur. Vite pas dhunës dhe konfliktit, po ato fytyra, të njëjtat, tani po buzëqeshnin.
Në vitet që kanë pasuar, kam parë se si burrat dhe gratë e çdo moshe dhe etnie kanë punuar që ta shtrojnë themelin për demokracinë në Kosovë. Kjo ka qenë një punë e lodhshme, me sfida të mëdha dhe me shumë detyra që mbeten të pakryera. Dhe tani varet nga ju – gjenerata e ardhshme e kosovarëve – që ta ndërtoni një shtet që u përgjigjet nevojave të krejt qytetarëve dhe i respekton të drejtat e të gjithëve, dhe kështu fiton respektin e popujve dhe qeverive në secilin cep të tokës.
Demokracia në secilin shtet është e vështirë, por pa gra, demokracia në secilin shtet është e pamundur. Progresi global në këtë fushë reflektohet te disa shtete që kanë zgjedhur gra udhëheqëse. Siç jam e sigurt që ju e dini, Kosova vet e ka zgjedhur së fundi gruan e dytë presidente, Dr. Vjosa Osmani Sadriun. Presidentja Osmani vjen me përfaqësimin më të lartë politik të grave në historinë e Kosovës si dhe sjell një zotim që t’i vë sfidat që lidhen me gjininë dhe barazinë në ballë të agjendës së saj qeverisëse. Për më tepër, presidenca e saj, si dhe zgjedhja dhe shërbimi i Presidentes Atifete Jahjaga e meritojnë krenarinë dhe lartësimin.
Mos harroni – arritje dhe ngjarje të këtij lloji nuk janë fund i një rrugëtimi, por fillim. Këto gra lidere po e hapin rrugën për juve dhe bashkëmoshataret tuaja që ta zini vendin meritor në politikë, diplomaci dhe në çfarëdo karriere që e ëndërroni për veten. Kur një barrierë vërtet thyhet dhe qëndron e tillë – atëherë ajo që dikur dukej revolucionare bëhet praktikë standarde dhe gjenerata e ardhshme mund të rritet duke hamendësuar se për çfarë kishte qenë gjithë ajo rrëmujë dikur.
Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, grave nuk iu lejohej të votonin në zgjedhjet federale në 130 vitet e para të ekzistencës së këtij shteti. Deri në dekadat e fundit, vetëm një numër fare i vogël i grave patën mundësi të shërbejnë si ministre të kabinetit, si anëtare të Kongresit, si kryebashkiake, dhe mund të dëshmoj vetë që nuk kemi pasur një sekretare të shtetit grua deri në vitin 1997. Sidoqoftë, një herë në një mbledhje familjare, mbesa ime shtatë vjeçare më pyeti se pse ishte aq punë e madhe që unë të shërbeja në atë pozitë. Në fund të fundit, ajo tha “Vetëm vajzat janë sekretare të shtetit”.
Në të gjitha shtetet, gratë kanë një rol qendror në diplomaci dhe në çdo aspekt të çështjeve botërore. Kjo është më se e dukshme. Gratë dhe vajzat përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së globit. Pa neve nuk mund të ketë demokraci, as prosperitet, e as progres të vërtetë dhe të qëndrueshëm. Pasi që gratë kanë hise të mëdha në suksesin e politikave të jashtme, neve na takon të jemi një zë i fuqishëm në të bërit e politikave të jashtme. Kjo është qasja e duhur dhe në të njëjtën kohë, qasja më e mençur.
As mos t’iu shkojë mendja që nuk mundeni. Ju e keni talentin dhe mundësinë për të kontribuuar në zgjidhjet që kërkohen në politikat e jashtme në secilën fushë dhe në nivelet më të larta. Pavarësisht se a po u përgjigjemi kërkesave më urgjente të sigurisë kombëtare, rreziqeve të ndryshimeve klimatike, apo nevojës për një qasje njerëzore por praktike ndaj imigrimit, rezultatet e mira vijnë nga një kombinim i dijes, gjykimit të shëndoshë dhe punës së zellshme. Këtu, urtësia, jo testosteroni, është përbërësi kryesor.
Që kur e kam lënë zyrën, shpesh pyetem nga gratë e reja për këshilla. Ato duan nga unë që t’i zbuloj fshehtësitë e suksesit për gratë udhëheqëse. Por për dallim nga disa folës publikë, unë kurrë nuk e kam bërë një listë gjithëpërfshirëse të rregullave të lidershipit. Nuk kam slogane motivuese të preferuara apo citime nga Napoleoni. Megjithatë kam disa sugjerime të cilat prapë se prapë, nuk e di se sa mund t’ju ndihmojnë.
Vjet më parë e pata vënë re – në orët mësimore që i ligjëroja në Universitetin e Georgetown-it – që studentet vajza ishin në përgjithësi më të sjellshme se sa djemtë. Nëse një djalë kishte për të thënë diçka, ai do ta plasonte atë edhe nëse duhej ta ndërpriste dikë tjetër. Vajzat ishin të prira që të rrinin ulur qetësisht dhe ta ngrisnin dorën lartë. Kjo shpesh nënkuptonte që djemtë mund ta dominonin diskutimin. Që nga atëherë u pata thënë studenteve që të mos frikësoheshin ta ndërprisnin dikë. Në epokën tonë, është më mirë të rrezikosh që të jesh e pasjellshme se sa ta japësh përshtypjen se nuk ke diçka për të thënë.
Këshilla ime e dytë është që të mos e lini askënd që t’ju tregojë se çfarë mund të bëni dhe se ku përkisni. Ju mund të keni ambicie që shkojnë përtej asaj që presin të tjerët. Këto dëshira mund t’i befasojnë miqtë tuaj dhe mund të mos u konvenojnë disave që janë afër jush. Por ju duhet ta bëni një zgjedhje. Ju duhet të vendosni nëse do t’i lejoni të tjerët t’i vënë kufijtë e jetës suaj – apo që ta zgjedhni vetë rrugën tuaj, edhe kur nuk jeni plotësisht të sigurta se ku do të shkoni. Askush nuk mund ta bëjë këtë zgjedhje për ju – asnjë rrugë nuk është qenësisht e drejtë apo e gabuar. E vetmja këshillë e imja është që të veproni nga shpresa dhe jo nga frika, dhe të merrni përgjegjësi për çfarëdo që vendosni.
Se a vendosni që të bëheni politikane, diplomate, ndërmarrëse, artiste apo aktiviste, ju bëj thirrje që t’i shfrytëzoni talentet tuaja që ta bëni Kosovën dhe botën një vend më të barabartë dhe më të drejtë të cilin do t’ua lini një ditë bijave dhe mbesave tuaja.
E kam një kërkesë të fundit nga ju: Kurdo që mundeni, shikoni fytyrat e vajzave dhe grave rreth jush dhe kujtoni që ka një ulëse nderi të rezervuar në parajsë për secilën grua që gjen kohën për t’i ndihmuar gratë e tjera. Asnjëra nga ne nuk kemi arritur këtu ku jemi vetëm. Askush nga ne nuk do të arrijë aty ku e ka cakun, nëse nuk ecim bashkë përpara. Nëse nuk mbani mend asgjë nga kjo që kam thënë sot – mbajeni në mend këtë.
Ju dëshiroj sukses dhe lumturi në përpjekjet tuaja të ardhshme,
Urimet më të mira,
Madeleine Albrigt