![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/08/800-0-Albin-Kurti-2-1-600x360-1.jpg)
Letra e politikanë ndërkombëtarë, Kurti: Ishte një zhvillim pozitiv për Kosovën
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë i ka njoftuar ministrat se këtë javë pati edhe një zhvillim pozitiv për Republikën e Kosovës, në rrafshin ndërkombëtar.
“Përmes një letre drejtuar sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrel, dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, mbi 50 deputetë, në mesin e tyre edhe senatorë e kongresistë amerikanë, 10 kryetarë të komisioneve parlamentare të politikave të jashtme të 16 shteteve, përfshirë edhe Ukrainën, kanë shprehur mbështetjen e tyre për Kosovën dhe kanë bërë thirrje për qasje më të ashpër ndaj Serbisë dhe rrezikut që veprimet e saj paraqesin për sigurinë e rajonit tonë”, ka njoftuar Kurti, raporton “Epoka e re”.
Ai ka thënë se Kosova është falënderuese për të gjithë përfaqësuesit politikë që i janë bashkuar kësaj thirrje të përbashkët.
“Mirëpresim secilin nënshkrim dhe mbështetje të radhës. Ky lloj i mbështetjes na e forcon përkushtimin tonë për de-eskalim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Kosovës, angazhimin për demokraci, dhe bindjen për ligjshmëri e kushtetutshmëri”, ka deklaruar Kurti.