Letra e Rifat Krasniqit, dokumenti tjetër inkriminues
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
(Procesi gjyqësor i Prizrenit më 1946 sipas dokumenteve të gjykatave ish-jugosllave. Para trupit gjykues dolën 34 patriotë të cilëve gjyqi ua shqiptoi dënimet: gjashtë veta i dënoi me pushkatim, të tjerët me vite të shumta burg) /31/
(Sqarim: Shkrimi në vazhdim botohet pa i bërë redakturë gjuhësore pasi është i shkruar si në dokumentet origjinale)
Letra e cila i mveshet se e ka shkruar Rifat Krasniqi, sipas “arsyetimit” që e jep Ali Shukrija, si prokuror publik i Kosovës. Letra është e shkruar me 6 prill 1945, në Rahovec. Ajo fillon me këtë fjali:
I dashtuni vëlla,
Më ka rënë për detyr qe të takohem me këtë njeri, me të cilin po ta dërgoi këtë letër, dhe njëkohësisht po të lajmërojë për situatën e këtushme.
Besojë qe edhe ju jeni të interesuam me shpejtësin sikurse neve. Nuk kuptojë se si deri më tash nuk kemi mujtë me bamun asgjë. Detyrë e çdo shqiptari është që të luftojë për tokën tonë shqiptare dhe për flamurin tonë, dhe për këto pika na kemi fillue me punue qysh me kohë.
Përveç që mundemi me ju lajmërue dhe me ju diftue gjerë e gjatë mbi bashk-punuasat tanë si dhe mbi organizatën tënë, por më pak fjalë po ju lajmërojm se si duhet me punue për lirinë e Kosovës sonë të robënueme nën thundrën e popullit Jugosllav.
Pika kryesore e organizatës është qe te formoni Komitetin Nacional Demokratik ne çdo komunë. Në këtë komitet duhet të hyjn njerëzit më të besueshem prej të cilëve njëri mbetet si kryetar me disa anëtar këshilltar dhe me një sekretar. Çdo kush prej komitetit të ketë lidhje dhe të lidhet me të tjerë të njohur; dhe keta përsëri të lidhen me të tjerë të besueshem, kështu qe secili prej tyre qe bëjnë lidhjen nuk do të dijnë njerëzit, me të cilët janë në lidhje.
Heren e parë duhet me formue Komitetet e Rretheve me njerëz të sigurt, te cilin komitet do ta pjesëtoni ne degë-seksione si përshembull: të propagandës, të financave, degën e kabotazhit dhe tjera. Personat e komitetit nuk duhet me i dijt askush, vetëm anëtarët e komitetit munden me formua shoqërin e vetë, por kjo shoqëri nuk duhet me i diftue anëtarët e komitetit.
Përpiçuni që në çdo katund të formoni komitete, por ne kujdesin më të madhë se në qoftëse do të kaloni kufirin mundeni me u diktue dhe do të bini viktima.
Propaganda për armatimin e popullit asht një nga pikat më kryesore. Sa të jetë e mundur duhet të mblidhni që të armatoset populli sa më tepër. Armet nuk është e lejueshme me ja dorëzua armikut, derisa kokën të mos e japim.Armatim bleni sa më shumë, merrni prej popullit ndihma dhe dorëzoni arkëtarit të komitetit financiar. Ndohmat me i mbledh prej njerzëve të sigurt, të cilët nuk kanë me ju diktue që janë ndihma për komitetin. Ruajunu prej kundërshtarëve tonë. Mblidhuni dhe bleni një radio me akumulator. Në qoftëse nuk na merrni vesh si duhet, atëherë na dërgoni një delegat ose dy ketu ne Komitetin e Rahovecit dhe na do iu japim udhëzime e duhuna.Te gjeni ata qe nuk janë te komprometuem dhe të dyshimt, dhe që është pak më i zgjuat.
Situata e jonë politike
Si në Rahovec ashtu edhe në Prizren, në Gjakovë dhe në çdo vend janë formue Komitetet Nacional Demokratike Shqiptare. Punët shkojnë shumë ngadalë.Lidhjet i kemi nga çdo anë e Kosovës si dhe me Shqipërin e Vjetër. Radion e kemi. Radio misioni është gati, do te fillojne bisedat me shtetet e huaja. Anglezët kanë marrë vesh për ne dhe për së shpejti në Shqipëri do të çarmatosen partizanët nga anglezët. Ushtrit e Enver Hoxhës si nga Anglezet ashtu edhe nga amerikanet nuk e kanë njoftoë as nuk e pranojn dhe do të shkatërrohet. Ne Serbi është gati kryengritja kundër Titos. Edhe na duhet të jemi gati. Politika ndërmjet Anglezve dhe amerikanëve me Ruset do te prishet, keshtu që simbas lajmeve t’ardhuna prej Turkije, keto janë ndamun, kështu që Rusija nuk ka me marrun pjesë ne San Francisko me 25 prill 1945, dhe 19 ditë do të mbahet Konferenca e Gjyqit ku do të caktohet kufijt e të gjithë popujve. Gjithashtu nuk do të jet i thirrun as Tita.
Me një fjalë të shkurtër, puna e jonë asht shumë mirë, vetëm duhet t’organizohemi dhe në kohën e caktueme te mësyem të gjithë bashku. Delegatin e juaj dërgone sa më shpejt te na, dhe këtij delegati te cilin po jua dergojmë jepni nj letër qe te dijmë se a është i dërguem prej jush. Emnat e juaj duhet ti ndërroni dhe të zavendsoni me sinonime si psh. Ne vend të Jusufit te thoni Fleta, në vend të Hasanit të thoni Shpata. Letrën qe keni me na dergje, dergone ne emnin tim ose te Lekës, leterpruesi do iu difton se kush jam unë e kush është Leka. Posten gjithashtu sa më parë të na dërgoni.
Letra përfundon me të fala të përzemërta nga Skenderbegu. Por, poashtu të fala iu dërgonte edhe Leka e Flamuri.
Ndërsa nga letra dilnin edhe porosit të cilat ishin: letrën posa ta merrni ta këndoni dhe menjëherë duhet ta grisni; Fjalët të cilat janë shkruar më sipër ti lexoni mirë dhe me mend dhe ta studioni me kujdes. Besojm se puna e jonë si dhe veprimi i ynë nuk do të jenë të kota, dhe me pakë mundim do të kemi sukses.
Në këtë pjesë të letrës shtohet se këtë e ka shkruar njëri prej vëllezërve të Flamurit.
Më poshtë letra vazhdon me këto fjalë: Vllait tonë Bardhë Jusufit,
Po ju lajmërojm qe Komiteti Demokratik ka filluar nga puna, e cila i ashtë besue. Vetem qe veçanërisht nuk kemi mujt me ardhë në kontakt ne disa vende, prandaj jeni të lutun qe te vim ne lidhje me juve si dhe me të tjerët te na falni qe se kemi mujt me ju shkrue, vetëm intersoni me ju diktue Komiteti Demokratikasht formue ketu ne Rahovec si dhe ne te gjithe rrethin.
4 prill 1945, Rahovec.
Te fala prej vëllait juaj Leka.
Prokurorija Publike e Kosovës pasi merr të gjitha aktpadit dhe pasi fillon procesin e hetuesisë ngrit aktakuzën e “famshme”, ndaj të arrestuarve të lartpërmendur. (Fund)