LETRA NGA LUFTA
Letra të fotoreporteres së luftës në Irak dërguar familjes
Lymsey Addario është fotoreportere amerikane, fotografitë e së cilës janë botuar rregullisht në “The New York Times”, “National Geographic” dhe në revistën “Time”. Ka mbuluar konfliktet në Afganistan, Irak, Liban, Darfur dhe Kongo dhe ka fituar një numër shpërblimesh, përfshirë “MacArthur Genius Grant” dhe çmimin “Pulitzer” për raportim ndërkombëtar
Shkurt, 2004
Tung nënë,
Po më vjen fort mirë që po flasim prapë. Po ia dal mirë. Ende po vazhdoj t’i përcjell shpërthimet pothuajse përditë, megjithëse duket goxha e çuditshme. Nuk marrim vesh për shpërthimin e bombave pa kaluar nja tri orë të mira dhe, kësisoj, po na vështirësohet puna që ta fotografojmë skenën si gazetarë. Amerikanët zakonisht e rrethojnë zonën dhe na mbajnë larg që të mos mund të shohim kurrgjë. Irakianët zemërohen fort sherri i asaj çfarë po ndodh, dhe zemërimin e tyre e zbrazin kundër nesh.
E pata ndërmend që të telefonoja dje, sepse pata një përvojë traumatike, por ndërrova mendje, meqë fjalët shpesh nuk mund të përshkruajnë çfarë kam parë me sytë e mi. Po merresha me një shkrim në repartin e spitalit për fëmijët me kancer në Bagdad. Spitali është në asi derexhe aq të tmerrshme saqë ujërat e zeza përzihen me ujin e pijes dhe pacientëve u përkeqësohet gjendja aty, madje janë më keq se kur pranohen. Është e kuptueshme se ka qindra viktima më shumë me kancer në Irak prej Luftës së Gjirit, sepse Shtetet e Bashkuara kanë përdorur bomba me uranium të varfëruar dhe shumë njerëz në vend tani po vuajnë prej kancerit. Kështu që, shkova në repartin e kancerit dhe ishte e pamundshme ta mblidhja veten e të mos shpërtheja. Nuk ia dola. Gruan e parë që e takova nuk kishte lidhje me këto raste. Ishte gjyshja e një të porsalinduri me verdhëz. Foshnja e gjorë ishte e verdhë si limoni. Prindërit e rinj nuk kishin zemër ta shikonin foshnjën që herë pas here qante deri në kupë të qiellit. Gjyshja ishte ulur në skajin e shtratit, fikall e vetme, duke përkundur beben. Në një moment nisi ta thërriste qetas mjekun, duke u qarë se foshnja kishte të ftohtë. Ia behu infermierja kujdestare. Ajo ia plasi në fytyrë, duke i thënë se foshnja do të vdiste. Gjyshja e shkretë, ende fikall, meqë prindërit e foshnjës nuk po mund ta përballonin traumën, po dënesej në shtrat afër foshnjës së verdhë si limoni. E fotografova. Dikur erdhi nëna që po qëndronte pranë shtratit. Gjyshja vazhdonte të dëneste me loçkë të zemrës.
U ktheva pastaj te Abdullahu, 11 vjeç, të cilin e kisha fotografuar më parë. Ka leukemi. Nuk e heq nga koka kapelën ‘Nike” që ta mbulojë kokën tullace. Dhe tani nuk ka forcë as ta mbajë lapsin në dorë. Dikur ishte nxënësi më i dalluar i klasës. Nëna e gjorë po i rrinte pranë në skaj të shtratit, duke u qarë se djali më nuk mund të luajë, të shkojë në shkollë, dhe se tani vetëm po qan e po fle. Infermierja e thirri në emër që t’ia jepte dozën e përditshme të ilaçeve para trajtimit me kimioterapi. Nëna kishte shkuar t’i blinte 25 shishe lëngjesh që do t’ia injektonin të birit në ditë. Vetëm për një ditë. Abdullahu rrinte shtrirë anash, me trupin që po ia njomnin me një mal ilaçesh. Nëna po e kërkonte një infermiere që t’ia jepte kimioterapinë. Shkuam në një dhomë të thatë. Aty djaloshi nisi të qante ende pa filluar infermierja të merrej me të. Qartazi, infermieret nuk ia kishin gjetur damarin në të njëjtën vend në terapinë e mëngjesit. Dhe ai ndiente dhimbje të tmerrshme. Nëna, babai dhe mjeku po qëndronin pranë shtratit derisa një fëmijë tjetër me kancer po priste në radhë. Edhe ai i gjori ishte tullac. Që tre vjet po kryente terapi. Omari ishte 12 vjeç. Përderisa mjeku e shpoi me gjilpërë në dorën e djathtë, Abdullahu bërtiti me krejt forcën e mbetur. Babai i tij, një burrë çehrerëndë, arab krenar, nisi të qante, edhe pse njëherësh përpiqej ta qetësonte të birin. Nëna nuk pati forcë. Iku nga dhoma. Abdullahu po qante e bërtiste. Babai u largua pak që t’i fshinte lotët. Po qaja edhe unë me gjithë shpirt saqë po e mbuloja fytyrën me aparat nga turpi. Pas pak dola në ballkon sepse nuk po mund ta mblidhja veten.
Pastaj, mendova sa pak do të duhej për t’i ndihmuar këta njomakë dhe familjet e tyre, mbase mjaftueshëm sa të kishin ilaçe ose ndonjë kuzhinë si duhet që ushqimi të mos zihej me ujëra të zeza. Nuk di çka të them, nënë, kam parë aq shumë para dhe aq shumë mjerim, dhe nuk mund ta kuptoj pse ato para nuk shpërndahen në mënyrë më të barabartë.
Letra tjetër
Të dua,
Lynsi
5 prill, 2004
J,
Ende jam në Bagdad. Për pak nuk më vranë dje, sikur shpëtova edhe një ditë më parë. Jam e rraskapitur dhe e stresuar dhe po numëroj ditët para se të kthehem në shtëpi, ose që ta gjej plazhin më të boshatisur në sipërfaqe të dheut (dhe mbase një të dashur me qira), me qëllim që të mund të ulem me ndonjë picë pikante dhe ta shikoj oqeanin derisa m’i lagë këmbët. Ky vend, Iraku, ka rënë në fund të pusit, në fund të xhehenemit. Ka mundësi të ketë një kryengritje të përgjithshme kundër amerikanëve nga dita në ditë, dhe me luftimet e vazhdueshme ndërmjet amerikanëve dhe irakianëve, po bëhet përherë e më vështirë për të punuar. Sipas gjykimit tim, çka është e rrezikshme dhe çka e arsyeshme, këtu nuk ka ndonjë prerje të qartë, saqë natën e kaluar, i dhashë makinës midis luftimeve në qytetin Sadr, në rrethinën shiite të Bagdadit, dhe unë dola nga makina përderisa shoqëruesi im i armatosur, një alamet burri me mjekër të dendur, dikur pjesë e ushtrisë irakiane, ishte mbledhur kruspull në ulësen e përparme. Refuzonte haptazi që të dilte nga makina që të ofronte mbrojtje. Goma makinash po digjeshin anash rrugëve kryesore, gjithçka kishte mbuluar tymi i zi si futa, rrugët ishin shkret, derisa një kalimtar rasti paralajmëronte këdo që mendonte të futej në zonë që as të mos e çonte ndërmend këtë punë. Njerëzit ishin të shqetësuar – “largohuni, largohuni… po i drejtohej shoferit tim, Qais, dhe mua… do t’ju vrasin… ajo është grua e huaj… largohuni”.
Në sy më ra zyra e Muqtada al-Sadrit, e përfshirë nga flakët në fund të rrugës, dhe rroka aparatin e nisa ta shkrepja në atë drejtim. Kisha përshtypjen se irakianët nuk do të më vrisnin, dhe isha në kulmin e përqendrimit, kur ndjeva dorën e rëndë të Qaisit prapa qafës. U hutova… krismat po bëheshin përherë e më të fuqishme, dhe Qaisi nisi të bërtiste fort: “Po vijnë amerikanët… tanket, amerikanët…”. E përsëriste vazhdimisht. Unë kisha përshtypjen se në fund të fundit, fati im do të ishte në duar të amerikanëve… dhe, po, ky ishte fundi, fati im mund të ishte në duar të amerikanëve… dhe isha i sigurt se ky ishte fundi, isha e sigurt për këtë. Tanket çanë rrugën në drejtim tonin, duke qëlluar. Nuk kisha ide kah po gjuanin. U ngriva në vend. Qaisi, duke më kapur për abayan time, dhe me krahët që m’i kishte lidhur për beli, më çoi vrullshëm në shtëpinë më të afërt që na e kishte hapur derën. Gjithçka mbetet e mjegullt. Ecëm nëpër pellgje ujërash të zeza nëpër dysheme dhe nisa të mendoja për lajmërimin e vdekjes time – ishte gjetur me fytyrën në puse kanalizimesh, dhe kjo më dërrmoi shpirtërisht. Nën abaya kisha jelekun antiplumb, me dy pllaka që nuk besoja se do të më shpëtonin prej zjarrit të tankut. Qaisi dhe burri irakian më prinë nëpër një palë shkallësh betoni, pothuajse fluturimthi. Qaisi e unë kaluam nëpër një dritare të ulët në anën e kundërt. Qaisi po ma mbulonte trupin me trupin e vet. I zoti i shtëpisë u mblodh kruspull poshtë dritares dhe unë thashë: e marrtë dreqi, duhet ta shkrep aparatin. Vetëm në këso rastesh, lutem dhe them një lutje për Shën Mërinë, që e kisha thënë edhe kur u rrëfeva sefte, atëherë kur e gënjeva priftin sepse nuk kisha çka të rrëfeja. I thashë se kisha vjedhur çamçakëz dhe më instruktoi që të thosha të njëjtën lutje për Mërinë, të cilën e them sa herë më duket se do të vdes… mbase për shkak se është lutja e vetme që e kam mësuar derisa po rritesha? Veshët desh më plasën prej të shtënave të tankeve në të gjitha anët, saqë vetëm atëherë e mora vesh se jam krejtësisht e krisur.
(Marrë nga numri i katërt i revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”)