LETRA PËR POETIN E RI
RAINER MARIA RILKE
LETRA PËR POETIN E RI
Rainer Maria Rilke është një nga poetët më të mirë dhe më të lexuar të shekullit XX. Ka lindur në Pragë në vitin 1875. U bë i njohur me vëllimet poetike “Libri i imazheve” (1902), “Libri i orëve” (1905), sidomos me “Sonete për Edipin” (1922). Rilke shkruante në gjuhën gjermane. Disa vjet pasi u bë autor i njohur gjerman u martua dhe i lindi një vajzë, por e braktisi shumë shpejt jetën familjare. Në vitin 1901 botoi romanin e vetëm “Shënimet e Malte Laurids Brigge”, një libër që bazohet mbi përvojën e tij në Paris, ku jetoi gjatë dhe shkroi një libër të shkëlqyer mbi Auguste Rodin.
Pavarësisht prej udhëtimeve të gjata, Parisi ishte poli kryesor gjeografik i jetës së tij, deri në Luftën e Parë Botërore kur u bllokua dhe qëndroi në Mynih. Nga atje u zhvendos në Zvicër dhe shkroi disa vëllime poetike si “Elegies Duino” dhe “Sonete për Edipin”. Gjatë kësaj periudhe, sa jetonte në Vallais, ku flitej frëngjisht, zgjodhi këtë gjuhë për të shkruar. Poezitë nga kjo kohë janë botuar në disa vëllime, por vetëm pas vdekjes së tij.
Vepra më e famshme e tij është “Letra për poetin e ri”, që përmban letrat që vetë autori ia kishte shkruar një oficeri të ri ushtrie nga i cili kishte marrë një letër ku i kërkohej ta ndihmonte në shkrimet e tij. Rainer Maria Rilke e ka filluar karrierën në një nga akademitë ushtarake gjermane pasi i ati kishte vendosur që ai duhej të bëhej oficer dhe ta trashëgonte traditën familjare.
Paris, 17 shkurt 1903
I dashur zotëri,
Letra jote më ka ardhur vetëm dy-tri ditë më parë. Më lejo të të falënderoj për besimin e madh dhe të plotë që ke treguar. Ka vetëm pak gjëra që mund të bëj. Nuk mund t’i qasem natyrës së vargjeve tuaja ngaqë çdo qëllim kritikues është shumë i largët për mua. Asgjë nuk është më e papërshtatshme sesa t’i qasesh një vepre arti me fjalë kritike: e gjitha që përfitojmë në raste të tilla janë, pak a shumë, disa keqkuptime të lumtura. Gjërat nuk janë edhe aq të kapshme dhe të shpjegueshme siç jemi bërë të besojmë: shumica e situatave janë të pashpjegueshme, ndodhin në një hapësirë ku kurrë asnjë fjalë nuk ka depërtuar, si dhe shumica e këtyre të pathënave janë vepra arti, përvoja misterioze të jetëve që qëndrojnë përkrah sonës dhe të cilat kalojnë tutje.
Pasi fillova me këtë vërejtje paraprake, e gjitha që mund të them mbi vargjet tua është se ato nuk kanë asnjë identitet të vetin, edhe pse kanë nxitje dhe lënë të kuptohet se ka shenja të diçkaje shumë personale. Më së qarti e ndjeva këtë në poezinë e fundit “Shpirti im”.
Ka diçka personale që po përpiqet të dalë nëpërmjet fjalëve, ta gjejë mënyrën e vet. Kurse poema e bukur “Për Leopardin”, ndoshta, zhvillon një prirje dhe afërsi me këtë njeri të madh e të vetmuar. Megjithatë, poezitë nuk rrinë me vete, asnjë e vetëmjaftueshme, as ajo e fundit apo ajo tjetra kushtuar Leopardit.
Kjo letër e këndshme që ke shkruar, pa dështuar, i ka përfshirë brenda vetës shumë nga të metat të cilat i kam identifikuar edhe gjatë leximit të vargjeve tua shpjeguese, pa qenë në gjendje t’u jap një emër. Ti më pyet nëse vargjet tua janë të mira. Këtë pyetje ma ke bërë. I ke pyetur edhe të tjerët para meje. U dërgon revistave. I krahason me poezitë e tjera dhe shqetësohesh kur editorë të caktuar t’i hedhin poshtë përpjekjet tua.
Pra, (pasi keni lejuar që t’ju ofroj këshilla) më lejo të të kërkoj që të heqësh dorë nga kjo gjë. Je duke kërkuar nga jashtë një gjë që, mbi të gjitha, nuk do të duhet ta bësh gjatë kësaj kohe. Askush nuk mund të të këshillojë e të të ndihmojë, askush. Ka vetëm një zgjidhje. Kërkoje brenda vetes. Analizo arsyet që të nxisin të shkruash: kontrolloje nëse i ka shtrirë rrënjët në thellësi të zemrës tende, pranoje para vetes se do të vdisje nëse do të mohohej ndjesia për të shkruar. Mbi të gjitha: pyete veten, gjatë qetësisë më të errët të natës: a duhet të shkruaj? Gërmo më shumë brenda vetes për të gjetur një përgjigje më të thellë. Dhe nëse është pozitive, nëse gjen mënyrën që t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje kaq serioze me një “Po” të thjeshtë dhe të fuqishme, atëherë ndërtoje të gjithë jetën tënde rreth kësaj nevoje. Jeta jote e drejtë, edhe në orën e saj më të vogël e të parëndësishme, duhet të bëhet dëshmi e kësaj ndjesie. Pastaj afrohu me natyrën. Provo, tamam si qenia e parë njerëzore, ta shpjegosh atë që e sheh dhe e ndjen, atë që e dashuron dhe që e ke humbur.
Mos shkruaj poezi dashurie; fillimisht evito format që janë shumë familjare dhe të përditshme: këto janë më të vështirat ngaqë të duhet mjeshtëri dhe fuqi e jashtëzakonshme për të prodhuar diçka të veçantë në një domen i cili na ka dhuruar me bollëk shembuj të mirë e ndonjëherë brilantë. Për këtë arsye, hiqu temave të përgjithshme dhe strehohu nën atë që ofron jeta juaj e përditshme; deshifro dëshirat dhe dëshpërimet tua, kalo përtej edhe besimit që ke në njëfarëlloj bukurie, përshkruaji të gjitha këto me një intensitet, qetësisht, me sinqeritet të përulur, vije në gatishmëri gjithçka që gjen për ta shprehur veten, imazhet në ëndrrat tuaja dhe mendime nga kujtesa.
Nëse përditësia të duket e boshatisur, mos ia lë fajin; fajësoje veten, thuaji vetes që nuk je poet i mjaftueshëm që t’i shpalosësh pasuritë e saj, sepse nuk ka boshësi për atë që krijon dhe nuk ka vend të varfër, vend trivial. Edhe nëse je në burg, ku muret nuk lënë asnjë zë nga jashtë t’u afrohet shqisave tua, prapë e ke fëmijërinë tënde, një burim të mrekullueshëm e bujar nga thesari i kujtimeve? Ktheje vëmendjen te kjo gjë. Provo t’i ringjallësh ndjenjat e fundosura të së shkuarës së largët, vullneti yt do të bëhet më i fortë për shkak të kësaj, vetmia do të hapet e do ndriçohet për t’u bërë vendbanim në të cilin zërat e njerëzve të tjerë do të dëgjohen vetëm prej së largu. Dhe nëse nga kjo do të kthehesh në brendësi, nga ky nënshtrim i botës tënde do të vijnë vargjet, vetëm atëherë nuk do të të shkojë në mendje t’i kërkosh dikujt nëse vargjet tua janë të mira. Gjithashtu, nuk do të provosh t’i bësh revistat të interesohen në punën tënde: sepse në to ti do ta shohësh zotësinë e dashurisë natyrale, një copë dhe një zë të jetës tënde. Një vepër e mirë arti lind nga nevoja. Vendimi mbi të varet nga natyra e origjinës së saj: s’ka zgjidhje tjetër.
Për këtë arsye, zotëri i dashur, e vetmja këshillë që kam është kjo: të shikosh te vetja jote dhe ta ekzaminosh thellësinë nga e cila ka lulëzuar jeta jote; te burimi ti do të gjesh përgjigje nëse të duhet të shkruash. Pranoje këtë përgjigje ashtu si është, pa provuar ta interpretosh. Mbase do të të thërras që të bëhesh artist.
Pastaj shtrëngoje këtë fat, mbarte barrën dhe madhështinë e tij, pa kërkuar shpërblim që mund të vijë nga jashtë. Sepse ai që krijon duhet ta ketë një botë të veten dhe të gjejë gjithçka brenda vetes, në një botë natyrore që ai ka vendosur ta ndjekë.
Por, ndoshta, pas kësaj prejardhjeje në vetvete dhe ngushëllimit, ty do të të duhet të heqësh dorë nga ideja e të qenit poet (ideja se të jetuarit pa shkruar është e mjaftueshme, siç thashë, të bësh atë që dikush nuk duhet ta bëjë kurrë).
Edhe atëherë, kur të kesh gjetur paqe në mënyrën se si po të pyes, kjo nuk do të jetë kohë e çuar kot. Çfarëdo që ndodh, jeta jote do ta gjejë një rrugë nga ajo pikë e tutje, dhe kjo do të jetë një gjë e mirë, produktive dhe me ndikim të gjerë në diçka që shpresoj të jetë më shumë se ato që mund të them.
Çfarë mund të të them tjetër?
Më duket se gjithçka është theksuar mjaftueshëm; dhe e gjitha që dua të bëj në fund është të të këshilloj ta shkosh seriozisht dhe me qetësi zhvillimin tënd; nuk mund ta ndërpresësh atë më shumë sesa të shikosh nga jashtë dhe të presësh përgjigje për pyetjet të cilat vetëm instinkti yt më i thellë në çastet tua më të qeta do të mundte, ndoshta, t’u përgjigjej.
Pata kënaqësinë ta shoh emrin e profesor Horacek në letrën tënde. Kam një admirim të madh për një dijetar zemërmirë si ai, një mirënjohje që ka zgjatur për vite të tëra. A do të mund t’ia transmetosh këto fjalë atij? Është shumë e sjellshme nga ana e tij që ende më mban në mend, një gjë që e çmoj shumë. Vargjet të cilat me aq besim m’i ke dërguar, po t’i kthej mbrapsht bashkë me këtë letër. Shumë faleminderit për këtë shtrirje dhe ngrohtësinë e besimit. Me sa mundësi që kisha kam provuar që me këtë përgjigje të sinqertë ta bëj veten më të vlefshëm sesa i huaji që në të vërtetë jam.
Me gjithë përkushtimin dhe simpatinë,
Rainer Maria Rilke.
(Përktheu nga anglishtja: Rrona Jaka. Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)