LETRAT E BURGUT SI TEKSTE LETRARE
Përurim / (Martin Çuni. “Lulet e jetës” botoi “Shkrola”, Prishtinë 2018)
Sadik Krasniqi
Shumë na ka rënë të dëgjojmë rrëfimet e të burgosurve e të lexojmë letrat e burgut. Na ka rënë shumë të dëgjojmë e të lexojmë të tilla gjëra, nga se shumë ka pasur të burgosur politikë në regjimin, shtetin e sistemin komunist të Jugosllavisë. E një ndër ta është edhe njëri këtu, në mesin tonë, librin e të cilit me kënaqësi do e hapim në këtë ambient të bukur letrar.
Ky është poeti, shkrimtari e para se gjithash atdhetari i madh Martin Çuni me libri “Lulet e jetës” (botoi Shkrola Prishtinë 2018)
Nuk u vura theks rastësisht rrëfimeve gojore e shkrimore për burgun nga të përvuajturit. Rrëfimi i Martin Çunit për jetën në burg është shumë i veçantë, është i qartë, pa ndonjë emfazë dhe si i tillë tejet i dinjitetshëm si vetë qëndrimi i tij shumëvjeçar në këto burgje.
Ky dinjitet, njerëzor, intelektual, edukativ e estetik përcillet edhe në letrat e këtij libri.
Tashmë në letërsinë shqipe kemi disa libra me tematikë nga burgu.
Vetë ambienti, rrethanat, atmosfera e burgut sikur determinon titujt uniformë të këtyre librave, sidomos të atyre librave që janë shkruar në formë letre.
Andaj edhe ky libër, hipotetikisht do të emërohej si letra nga burgu, letra nga qelia, letra nga vetmia, letra nga errësira apo edhe letra nga vetë ferri, nga se i tillë ishte burgu politik, por ky krijues na befason me një titull aq të bukur e metaforik “Lulet e jetës”.
Në librin “Lulet e jetës” janë të përfshira letrat autoriale dërguar fëmijëve të tij Agronit e Teutës. Këto letra janë të ndryshme dhe kanë shumësi kuptimësie.
Duke qenë se kanë vulën e kohës së viteve nga maji 1983 deri të gushti 1989 si dhe e vendeve, burgu i Prishtinës, Prokupjes e atij të Nishit, këto letra kanë vlerë dokumentariteti. Shumëkuptimësia e tyre qëndron edhe në nuancat edukative, informative, arsimore e estetike.
Ky variacion shkrimor del i tillë nga se janë shkruar nga prindi, mësuesi, gazetari e shkrimtari, Martin Çuni.
Prindërorja në këto letra është e ndjeshme e përmallshme dhe nostalgjike.
Agron, fotografitë tuaja i kam marrë, u gëzova shumë kur ju pashë të fotografuar bukur. Shpesh po i shikoj ato fotografi të bukura, vërtet të bukura.
More, ishit rritur e bërë të mëdhenj, shprehet në një nga letrat e dërguara bijve apo “luleve të jetës” si i quan Martini fëmijët që rriteshin pa i parë.
Elementi edukativ e arsimor, për njohuri të reja përcillet përmes shembujve dhe këshillave nga shkenca po edhe nga përvoja, që përshkruhen në këto letra dedikuar dy fëmijëve.
E bukura e të shkruarit të këtyre letrave me stil të lartë, gjuhë të pasur e të figurshme me një strukturë të qartë e të kujdesshme sintaksore i bën këto të jenë letra me vlerë të lartë estetike, e si të tilla të lexohen si letërsi.
Letrat e këtij libri janë letra të ndryshme, përgjithësisht janë letra komunikuese, por në mesin e tyre hasim edhe rrëfime si përrallë, si anekdotë, apo edhe si përshkrim situatash e përjetimesh nga vetë autori.
Martin Çuni i ndërlidhë këto forma rrëfimesh i vetëdijshëm, nga se letrat e tilla kontrolloheshin, nga organet e burgut.
E ky për të dërguar mesazhe që nuk duhej hetuar nga censurës e
hekurt e burgut mjeshtërisht përdorte variante të tilla alegorike.
Në një letër shprehet kështu: “Si ju thashë më parë sorrat e kumritë janë në armiqësi të përbetuar. Ndodh shpeshherë të grinden mes tyre. Megjithëse janë të urta kumritë nuk dorëzohen”.
Pa dyshim pra se me sorra aludonte pushtuesit e kumri rezistencën shqiptare. Të tillë simbolikë me aludime gjejmë shpesh në letrat e këtij libri.
Poetike e referencës së këtij libri është mjaft e pasur, me figura të ndryshme letrare që më së shpeshti e luajnë rolin e metaforës si: zogu i lirë, pranvera e bukur, cicërimë e ëmbël, lejlek me fletë, psherëtima e lumit, krahët e dritës e shumë kësisoj. Se e bukura qëndron në origjinalitet e jo në stisje, dëshmon edhe ky libër që lexuesit i shfaqet ashtu spontan si letër e shkruar në formë proze poezie, dorëshkrimi të ilustruar me peizazhe, fragmente nga qyteti e portrete të vizatuara nga vetë autori dhe shokët e tij te burgut.
Duke e lexuar me vëmendje këtë libër, si të gjithë librat e këtij autori, sidomos ato të të shkruara në burg dhe me temë burgu më kujtohet një sugjerim që i bëra këtij miku tim të veçantë se ky duhet shkojë shpeshherë në atë burg, por natyrisht jo fizikisht por me kujtime, se nga kujtimet e tilla mund të shkruhet leterësi e bukur. Bodleri thotë “Kujtimi është një palimpest”. Të rishkruarit mbi palimpest është gjithmonë një letërsi e veçantë dhe e bukur siç është libri “Lulet e verës”, për të cilin falënderoj mikun tim Martin Çuni që më ofroi kënaqësi si estetike gjatë leximit por dhe që më dha rastin të them dy-tre fjalë në këtë ambient të ngrohtë e solemn. Ju falënderoj shumë për vëmendjen!
Frankfurt, 13 tetor 2018
*Ky vështrim është lexuar me rastin e përurimit të këtij libri në Ofembah të Gjermanisë.