“Letrat e mia kredenciale”, libri më i ri i Besnik Mustafait
Shkrimtari, poeti e diplomati Besnik Mustafaj promovoi librin e ri “Letrat e mia kredenciale”, në një rrëfim me Arta Markun.
Botimet Toena dhe Instituti i Promocionit organizuan sot stendën e tyre në Panairin e Librit promovimin e librit të Mustafajit, ku përveç të tjerëve, i pranishëm ishte edhe gazetari Blendi Fevziu.
“Letrat e mia kredenciale” – Besnik Mustafaj në një rrëfim me Arta Markun.
Gazetarja e njohur Arta Marku nuk ka intervistuar vetëm shkrimtarin. Ajo i ka intervistuar të gjithë: veç shkrimtarit, diplomatin me dyshimet, pasiguritë dhe pengjet; politikanin që tërheq skajin e kundërt të të njëjtit litar tërhequr edhe prej shkrimtarit; deputetin që kur e pa veten në parlament nuk kish lexuar kurrë një ligj; gazetarin që e brodhi Shqipërinë cep më cep; pedagogun që s’e kishte hiç përzemër mësimdhënien; intelektualin për të cilin zgjerimi i horizontit është domosdoshmëri; qytetarin që nuk mund të rrijë shpërfillës ndaj terrenit mbi të cilin vë këmbët; burrin që gratë i mishëron në poezi; bashkëshortin, të cilit i duket e zbrazët Shtëpia pa Donën; babain që ngjan dhe nuk ngjan me babanë e vet; birin, që, sidoqoftë, nuk e vrau kurrë atin; nipin që ruan kujtimin e mrekullueshëm të gjyshit dhe dy grave të tij… Ka intervistuar burrin e sotëm, djaloshin që rritet, adoleshentin që i largohet qytetit të lindjes, fëmijën që nuk i pëlqen të luajë futboll…
Nëpërmjet këtij librin do të njihni Besnik Mustafajin dhe të vërtetat e tij të çuditshme, që nis me një vizatim burri për fëmijën e dikurshëm dhe ndalet te fotografia e të sotmes, kur fëmijën brenda burrit e ka zbehur shkurtimi i kohës që i është dhënë për të jetuar./ATSH/