“Letrat që nuk t’i dërgova” pasuron edhe më shumë letërsinë erotike shqipe
Shkruan: Skënder Zogaj
Titulli Letrat që nuk t’i dërgova është theksi i lajtmotivit letrar dhe i përmbajtjes së librit të Ymret Reshitit, që besoj se do ta prekë kërshërinë e lexuesve të cilët do të dëshirojnë të kuptojnë: kujt i dedikohen letrat dhe pse këto letra s’janë dërguar. Është në pyetje dashuria – zjarri i mëndafshtë që nga Ademi dhe Hava e pushton njerëzimin me ndjenja përvëluese duke ua ndrydhur zemrat të gjithë njerëzve, bile edhe mbretërve e perandorëve më të fuqishëm të botës dhe në të gjitha epokat e deritashme. Prandaj, jo rastësisht veprat më të bukura artistike të popujve në gjithë botën iu kanë kushtuar dashurisë. Kështu ka ndodhur edhe ndër ne, sidomos në muzikë dhe në letërsi, ku krijuesit me temën e dashurisë i kanë realizuar disa nga perlat më të bukura poetike.
Zef Serembën e dalldisur nuk e ndal as deti për ta parë vetëm edhe një here të dashurën. Naim Frashëri i madh me kënaqësi dëshiron të bëhet baltë e pluhur, vetëm “që ta shkelë këmba e saj!” Çajupi edhe 10 vjet pas vdekjes e vajton me ngashërim të thellë dhe përmallim të flaktë Evgjeninë e tij të dashur…
Karvanit të këtyre poeteve i bashkëngjitet edhe Ymret Reshiti me librin Letrat që nuk t’i dërgova, i cili e pasuron edhe më shumë letërsinë erotike shqipe. Autori vjen me një lirikë moderne, formësim të bukur të vargut, qartësi të mesazhit poetik, me shprehje të bukura metaforike i këndon bukur dhembjes së dashurisë dhe e bënë tejet të këndshëm leximin e këtij libri.
Përmes librit Letrat që nuk t’i dërgova autori sjell para lexuesve një histori sa të bukur, po aq edhe të trishtuar, të dy të rinjve që patën një dashuri platonike, por me fund tragjik, ngaqë këputen lidhjen që e mbante gjallë këtë dashuri, edhe pse djali i ri nuk pajtohet me këtë humbje, duke vazhduar njëanshëm ta mbajë atë lidhje edhe për shumë vite përmes letrave të shkruara për vajzën, me pamundësi për t’ia dërguar.
Libri Letrat që nuk t’i dërgova ka në qendër dy personazhe dhe një histori dashurie platonike: djalin e pasionuar dhe vajzën çapkëne, e cila është kryefjala e të gjitha poezive, fillim e mbarim, që lakohet plot me dhembje, vuajtje, pikëllim, lot, thirrje, shpresë, lutje, por edhe mallkim ndaj vajzës zemërgur që hesht e mbyllur duke mos ia pranuar djaloshit lutjen.
Secili lexues mund të mendojë se është vetë personazhi i djalit apo vajzës te vepra Letrat që nuk t’i dërgova. U mbetet lexuesve ta gjejnë veten në poezitë e kësaj përmbledhjeje.