Lëvizja Fol: Qeveria realizoi vetëm 60 aktivitete nga 175 sa ishin paraparë në Planin kombëtar për zhvillim
Lëvizja Fol ka publikuar të martën të dhënat nga monitorimi i Planit Vjetor të Punës së Qeverisë, tashmë të quajtur Plani Kombëtar për Zhvillim.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoresh e Lëvizjes Fol tha se para se të prezantojmë realizimin e aktiviteteve për secilën ministri, do të prezantojnë disa të dhëna sa i përket përmbajtjes së këtij plani.
“Plani Kombëtar për Zhvillim është përpjekja e tretë e qeverisë Kurti 2 për planifikimin operacional të punës së saj, duke ndërruar formën e planifikimin për secilin vit që nga ardhja në pushtet”, tha ajo, duke shtuar se pikërisht për ketë kanë bërë edhe një analizë të shkurtër të këtij plani.
Ajo ka treguar se një nga të metat e mëdha të këtij lloji të planifikimit është vështirësia e zyrtarëve publik për planifikim të mirëfilltë dhe kuptim të PKZH-së, e cila përsëritet për çdo vit.
Sipas saj, Lëvizja Fol ka identifikuar këto të gjetura kryesore. “Elementet kryesore të Planit Kombëtar për Zhvillim (tani e tutje: PKZh) janë: qëllimet zhvillimore dhe strategjike të shoqëruar me tregues të ndikimit dhe tregues kryesor të rezultateve, masat strategjike të shoqëruara me tregues të rezultateve, veprimet e shoqëruara me tregues të produkteve, peshimi i masave strategjike dhe veprimeve, afatet kohore, buxheti dhe elemente tjera më pak të rëndësishme. Plani ka një logjikë rrjedhëse, mirëpo pas analizimit të të njëjtit, vërehet së në fakt planifikimi operacional ka mangësi të tepërta të cilat e bëjnë planin të pa lexueshëm, të pa kuptueshëm dhe që nuk tregon asgjë apo edhe e fsheh zbatimin e vërtetë të PKZh. Aktivitetet e parapara në PKZh nuk korrespondojnë me Programin Legjislativ për vitin 2023”, ka thënë ajo, duke shtuar se masat strategjike të PKZh-së janë intervenimet të cilat ndërmerren për një periudhë trevjeçare, të cilat shoqërohen me tregues, veprime dhe buxhet përkatës.
“Sidoqoftë, hartimi i masave nga ana e ministrive nuk ka uniformitet. Mungesa e uniformitetit vërehet në nivelin e masës: në disa raste janë jashtëzakonisht specifike ndërsa në disa raste të tjera janë pothuajse të barasvlershme si vet qëllimi strategjik. E njëjta vlen edhe për nivelin e treguesve. Edhe pse për masa strategjike është dashur të caktohen tregues të rezultateve, ato janë përzier me tregues të produkteve, e në raste të caktuara edhe me ato të ndikimit. Po ashtu, në shumë raste buxheti mungon dhe nuk dihet se sa shpenzohet për një masë të caktuar për arritjen e treguesve të vendosur. Një nga shkaqet për këtë është mungesa e kapaciteteve analitike për lidhjen e buxhetit dhe shpenzimeve me procesin dhe rezultatet e synuara”, ka thënë Demolli-Nimani.
Ajo ka thënë se e metë tjetër e planit është mungesa e komunikimit të masave strategjike me qëllimet strategjike apo me treguesit e vendosur në qëllimet strategjike.
“Peshimi është zbulimi i ri i Qeverisë në planifikimin operacional, për të cilin nuk ka informacione dhe nuk ka ndonjë shpjegim se pse bëhet apo si kalkulohet. Në këtë plan ne kemi dy raste kur bëhet peshimi: një tek masat strategjike dhe një tek aktivitetet”, është shprehur Demolli-Nimani.
Ndërkaq Albana Hasani, hulumtuese e lartë në Lëvizjen Fol ka prezantuar realizimin e aktiviteteve për secilën ministri të parapara në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 nga ana e dikastereve të qeverisë.
MASHTI, nga 10 aktivitete të parapara të përfundojnë në tre mujorin e dytë të vitit 2023, 4 prej tyre nuk janë përfunduar.
ZKM, ka planifikuar 47 aktivitete që të përfundohen deri në fund të 3 mujorit të dytë, ndërkaq ka realizuar vetëm 12 prej tyre.
MPBZHR, ka planifikuar të realizoj 5 aktivitete nga të cilat i ka përfunduar të gjitha.
MSH, ka planifikuar 14 aktivitete prej të cilave i ka realizuar vetëm 8 aktivitete.
MKK, ka paraparë vetëm 1 dhe atë e ka realizuar.
MZHR, ka paraparë vetëm 1 dhe atë e ka realizuar.
MM, ka parapare vetëm 2 aktivitete prej të cilave vetëm një është realizuar.
MAPL, ka planifikuar vetëm 4 aktivitete dhe ka realizuar ka realizuar 3 dhe 1 nuk e kanë realizuar.
MD, ka planifikuar 14 aktivitete të përfundojnë brenda 6 mujorit të parë. Nga to 5 janë përfunduar, 6 nuk janë përfunduar ndërkaq për dy të tjera nuk kanë ofruar përgjigje.
MPB, ka planifikuar 16 aktivitete, prej te cilave ka realizuar vetëm 2.
MFPT, ka planifikuar 8 aktivitete prej të cilave i ka përfunduar 6 dhe 2 nuk janë realizuar.
MINT, ka paraparë 18 aktivitete prej të cilave 7 i ka përfunduar dhe 10 nuk i kanë përfunduar dhe për 1 nuk kanë ofruar përgjigje.
ME, ka planifikuar 5 aktivitete prej të cilave ka përfunduar vetëm 3 ndërkaq 2 nuk janë realizuar ne afatin e paraparë.
Ndërkaq ministria e MMPHI-ja dhe e MKRS-ja nuk kanë kthyer përgjigje në realizimin e aktiviteteve të parapara.
Në tërësi, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 në Planin Kombëtar për Zhvillim është paraparë realizimi i 175 aktiviteteve, prej të cilave kanë arritur të realizohen vetëm 60 nga to brenda afatit të paraparë.
Konkluzionet e Lëvizjes Fol
– Planifikimi i punës së Qeverisë është i pakuptueshëm, i palexueshëm dhe metodologjia e përdorur nuk tregon zbatimin e vërtetë, madje në disa raste e fshehë zbatimin e ulët.
– Metodologjinë e planifikimit të punës së Qeverisë nuk e kuptojnë as vetë zyrtarët publikë të cilët e hartojnë PKZH-në.
– Aktivitetet e parapara në PKZh nuk korrespondojnë më Programin Legjislativ për vitin 2023.
– Qëllimet, masat, veprimet, peshimi dhe buxheti janë të ndërlikuara, të përziera, jo uniforme dhe mungojnë në shumë raste.
– Elementet e PKZH-së nuk komunikojnë njëra me tjetrën: masat strategjike apo veprimet e propozuara nuk ndikojnë në arritjen e rezultateve të caktuara.
– Afatet kohore janë të vendosura në atë mënyrë që mund të interpretohen edhe si nisje edhe si mbarim, kur për këto vendosen statistika, gjë që fsheh mungesën e zbatimit apo zbatimin e ulët.