Lëvizja për Bashkim mbështet marshin “Marshojmë për Drejtësi”
Lëvizja për Bashkim (LB) i ka dhënë përkrahje marshit “Marshojmë për Drejtësi” të organizuar nga platforma “Liria ka emër”, që është paraparë të mbahet më 2 prill në Prishtinë në shenjë solidarizimi me ish-udhëheqësit e UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë.
“Duke qenë se Lëvizja për Bashkim, që nga përpjekjet e para për krijimin e kësaj gjykate, ka qenë kundër dhe e ka parë këtë institucion si përpjekje për ndryshimin e së vërtetës dhe historisë; Duke qenë se padrejtësia si ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ashtu edhe ndaj Kosovës në përgjithësi, është aq e madhe dhe aq e dukshme; Duke parë heshtjen e patolerueshme të institucioneve të Kosovës karshi kësaj padrejtësie, Lëvizja për Bashkim e ka parë organizimin e kësaj proteste të nevojshme dhe të domosdoshme. Prandaj Lëvizja për Bashkim do ta mbështesë, do të marrë pjesë dhe i fton të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe të gjithë qytetarët që t”i përgjigjen kësaj ftese. Të dalim e të marshojmë të gjithë së bashku!”, është thënë në njoftimin e LB-së.