Lëvizja Vetëvendosje më 25 maj mban tryezën me partitë politike
Lëvizja Vetëvendosje më 25 maj do të mbajë tryezën e radhës me partitë politike.
Temë diskutimi e kësaj tryeze është “Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve”.
Tryeza me partitë politike e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje do të mbahet në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
“Lëvizja Vetëvendosje do të organizojë të premten, më 25 maj, në ambientet e Kuvendit, tryezën e titulluar ‘Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve’, ku do jenë të ftuara subjektet politike në Kosovë. Kjo tryezë mbahet me synim arritjen e konsensusit për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës, si zgjidhja demokratike që do të mundësonte krijimin e një qeverisjeje legjitime të shumicës për të çuar përpara proceset e domosdoshme politike dhe ekonomike për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, zhvillimin e vendit dhe integrimet euroatlantike, duke përfshirë këtu edhe pakicat në shtetin tonë e raportin me fqinjët tanë”, është thënë në njoftimin e Vetëvendosjes.
Më herët një tryezë e tillë është organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
/Epoka e re/