Lëvizja Vetëvendosje me aksion simbolik kundër kryeprokurorit të shtetit
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosjes kanë zhvilluar sot një aksion simbolik jashtë ndërtesës në Pallatin e Drejtësisë.
Sipas aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje ky aktivitet është zhvilluar derisa kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi në Pallatin e Drejtësisë po shpaloste sukseset për luftën ndaj korrupsionit si kusht për liberalizmin e vizave.
“Një kryeprokuror i cili nuk e ka asnjë ndjekje të nivelit të lartë institucional për korrupsion është veçse një mace e vogël përballë minjve të mëdhenj të nëntokës”, ka thënë aktivistja Aurora Mullatahiri.
Ajo ka shtuar se të gjithë jemi dëshmitarë që krimi në Kosovë përveç se po lulëzon, ai është në bashkëpunim të plotë më prokurorët dhe gjykatësit. “Të cilët në rastin më të mirë heshtin dhe nuk ndërmarrin veprim karshi këtij krimi kur nuk janë bashkëpunëtor në të. Kosova ka nevojë për drejtësi, ka nevojë për prokurorë të cilët janë të aftë dhe të guximshëm që ta luftojnë krimin e organizuar të nëntokës i cili çdo ditë e më shumë ngre kokën mbi tokë në formën e drejtuesve institucional”, ka thënë aktivistja Aurora Mullatahiri.