Lëvizja Vetëvendosje: Degët e pushtetit në Telekom
Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar sot aksion simbolik në Telekomin e Kosovës për të vazhduar denoncimin e shfrytëzimit partiak të kësaj ndërmarrjeje publike.
Pas aksionit të ngjitjes së parullave ku shkruheshin emrat e partive kryesore në pushtet dhe poshtë tyre fraza “dega Telekom”, anëtarja e Kryesisë së Qendrës së Lëvizjes në Prishtinë, Rinë Zhitia, ka thënë se subjektet e koalicionit qeverisës PDK, AAK dhe Nisma e kanë bërë Telekomin e vendit si Degë të tyre partiake ku rehatohen njerëzit dhe klientela e tyre.
“Meqenëse vetëm kohëve të fundit janë bërë qindra punësime të tilla, ne sot, në mënyrë simbolike, po vendosim logot e këtyre partive me degën e tyre në Telekom. Kjo sepse sot hapësirat e punës së Telekomit, janë shndërruar në zyre të partive në pushtet”, ka thënë ajo.
Rinë Zhitia i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të nxjerrë në verën e vitit të kaluar, e cila thotë saktësisht të kundërtën e kësaj që po bën aktualisht kjo Qeveri.
“Po ashtu, Prokurorisë i bëjmë thirrje të fillojë hetimet e menjëhershme në lidhje me këtë skandal të punësimeve pa kriter, pa nevojë dhe me qëllim shkatërrimin e Telekomit. Telekomi ka potencial për t’u zhvilluar financiarisht dhe për t’u zgjeruar në tregun e Kosovës. Privatizimi i Telekomit është thjeshtë privatizim i fitimit dhe nacionalizim i humbjes”, ka thënë Zhitia.
/Epoka e re/