Lëvizja Vetëvendosje kërkon punësim dhe paga të dinjitetshme për gratë

04 mars 2019 | 15:35

Në kuadër të muajit të gruas, deputetja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh anëtare e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, dhe anëtarja e Kryesisë Tinka Kurti, kanë mbajtur të hënën konferencë për media lidhur me diskriminimin e punësimit të grave.

Me këtë rast, deputetja Haxhiu ka thënë se gratë duhet të punësohen dhe të kenë paga të dinjitetshme dhe jo të diskriminohen e të shtypen.

“Diskriminimi e shtypja, dhuna fizike e psiqike, shfrytëzimi i vajzave dhe grave ka ndërlidhje të ngushtë me varësinë dhe shtypjen ekonomike. Në aspektin e legjislacionit janë bërë disa ndryshime, por të cilat thjesht kanë mbetur të pazbatuara”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka folur edhe për Projektligjin e punës të proceduar nga Qeveria duke theksuar se nuk ka mekanizma mbrojtës kundër diskriminimit të grave në punësim madje nuk ka asnjë autoritet ku mund të raportohen rastet.

“Arsyet pse nuk punësohen gratë është sepse punëdhënësi e konsideron problem pushimin e lehonisë. Pushimi i lehonisë natyrisht që duhet të mbetet për periudhën njëvjeçare por është koha që ta ndajmë atë në formë të obligueshme, gjashtë muaj nëna, gjashtë muaj babai”, ka theksuar ajo.

Edhe anëtarja e Kryesisë së Vetëvendosjes Tinka Kurti ka folur për diskriminimin që i bëhet gruas në rastet e punësimit.

“Kur papunësia e grave është mbi 80 për qind, është e qartë se aty nuk bëhet fjalë për fat individual e as për përcaktim natyror. Kjo është kryekëput rezultat i politikave të gabuara e të dëmshme të shtetit. Dhe më e keqja është se këto shifra nuk janë të reja dhe nuk kanë shënuar ndonjë lëvizje që prej pasluftës. Pra, nuk bëhet fjalë për mospjesëmarrje, por për përjashtim”, ka deklaruar Kurti.

/Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, njofton konsumatorët në zonën qendër…