Lëvizja Vetëvendosje: Urgjentisht të mbahen zgjedhjet e reja
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shemsi Syla, i shoqëruar edhe nga zyrtari tjetër i kësaj lëvizje Enver Dugolli, përmes një konference për media ka paraqitur qëndrimin e kësaj partie në kundërshtimin e zvarritjes nga ana e presidentit të datës së zgjedhjeve dhe takimit për këtë datë.
Syla më pas ka folur për ngecjet në funksionalizimin e Forcës së Sigurisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, përkundër ngritjes së kapaciteteve ushtarake të shteteve në rajon, përkatësisht Serbisë që ende ka një qasje armiqësore ndaj Kosovës.
“Gjendja në Ministrinë e Mbrojtjes është alarmante. Elementet kyçe të fazës së parë të Planit Gjithëpërfshirës të Transformimit të FSK-së në ushtri nuk janë realizuar”, ka thënë Syla.
Ai ka përsëritur objektivat që është dashur të arrihen më 21 maj 2019 të fazës A+120 ditë, si: 1. Riorganizimi i Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes dhe Komandës së Forcave Tokësore në Shtabin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (objektivë e parealizuar). 2. Vendosja e elementit drejtues (udhëheqës) (objektivë e parealizuar). “Projektet kryesore gjatë kësaj faze të cilat tashmë është dashur të jenë të përfunduara, si: 1. krijimi i dokumenteve strategjike; dhe 2. vendosja e bazës doktrinare. Fatkeqësisht, asnjë nuk është e gatshme apo e miratuar nga autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe për pasojë një pjesë e madhe e personelit ushtarak dhe civil të kësaj ministrie dhe FSK-së gjendet në një situatë të vazhdueshme kaosi”, ka thënë Syla.
Sipas tij, krahas këtij kaosi Ministria e Mbrojtjes për gjashtë muaj ka përdorur vetëm 3 për qind të shpenzimeve kapitale.
“Buxheti i ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës e sidomos shuma për shpenzime kapitale të tregon të vërtetën se sa ishte e përkushtuar Qeveria e rrëzuar, për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse”, ka thënë ai.
Deputeti Syla ka thënë se marrë parasysh situatën e sigurisë dhe kapacitetin ushtarak të vendeve të rajonit, buxheti për Forcën ka qenë jo serioz dhe se Vetëvendosje me kohë e ngritur këtë çështje.
Ai më tej foli edhe për keqpërdorimet që sipas tij po përgatiten në Ministrinë e Mbrojtjes.
Syla bëri iu bëri thirrje zyrtarëve civil, që mos të marrin për bazë asnjë vendim të nënshkruar pas datës së dorëheqjes së ish-kryeministrit dhe rrëzimit të qeverisë.
“Përderisa qeveria e rrëzuar ka shfaqur paaftësi në formimin e ushtrisë dhe keqmenaxhim me paranë publike, ne i bëjmë thirrje që mos të ndërmarrin ndonjë veprim tani, në këtë kohë, për të mbuluar paaftësinë dhe keqmenaxhimin”, ka thënë ai.
Enver Dugolli u përqendrua tek çështje e kapaciteteve ushtarake në rajon dhe pozicionin e Kosovës.
“Ditëve të fundit, jemi dëshmitar të një ekspansioni të fuqishme të Serbisë në fushën e armatimit me armë dhe pajisje tejet moderne. Kontingjenti i mjeteve te blinduara bashkë me avionët dhe helikopterët, janë një sinjal i qartë se Serbia po lëviz fuqishëm si forcë dominonte ushtarake ne rajon”, ka thënë Dugolli, duke shtruar pyetjen se për çfarë po armatoset Serbia.
Sipas tij, të gjitha opsionet apo variantet mund të jenë të sakta përveç atij qe deklaron presidenti Vuçiq kur thotë se po armatoset për ta mbrojtur vendin.
“Në fakt ka diçka këtu, edhe mund të jetë e rrezikuar sikur në të kaluarën kur Millosheviqi kryente gjenocid në Kosovë. Ky mund të jetë rreziku nga se edhe planet ndaj Kosovës nuk është se dallojnë shumë nga ajo kohë. Një gjë dihet, deri sa Serbia shfaq haptazi aspirata armiqësore ndaj nesh, Kosova është caku i parë i rrezikut”.
“Mekanizmat e kontrollit ndërkombëtar, si duket për Serbinë nuk vlejnë edhe aq nga fakti se në gjithë ketë situatë, nuk kemi reagime, kemi një heshtje te çuditshme. Për këtë rastin e fundit u paraqit dhe një kontradiktë, një vend si Rumania e ndali konvoin me tanke dhe autoblinda nga Rusia për Serbinë. Ndërsa pak më vonë të njëjtat u transportuan përmes vijës ajrore të Hungarisë. Le të kujtojmë se Hungaro Control e mbikëqyr edhe hapësirën e lartë ajrore të Kosovës në emër të NATO-s”, ka thënë Dugolli.
Ai ka shtuar se për ta ndërruar këtë gjendje, ashtu siç duhet, duhet të shkohet urgjentisht në zgjedhje të lira dhe demokratike. “Me ç’rast do të krijohej një legjitimitet i ri politik dhe institucional. Qeveria dhe institucionet e ardhshme duhet të kthejnë fokusin e vërtetë në investime dhe reforma të mëdha në ketë fushë tejet të rëndësishme”, ka thënë Dugolli.
/Epoka e re/