Lëvizja Vetëvendosje kundërshton privatizimin e Telekomit
Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për fillimin e procesit të privatizimit të Telekomit të Kosovës.
Sipas kësaj lëvizje, kryeministri Haradinaj në një akt të paprecedent ka autorizuar fillimin e këtij procesi.
“Aktualisht është në fuqi rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku qeverisë dhe kryeministrit i kërkohet të veprojë për të kundërtën. Pra për zhbërjen e kontratës kriminale me Z-Mobile dhe përfshirjen e profesionistëve në rimëkëmbjen nga kriza e qëllimshme ku e kanë futur Telekomin. Në vend se të zbatonte pikë për pikë këtë rezolutë siç e kërkon ligji dhe Kushtetuta, Kryeministri Haradinaj u përkul para krimit të organizuar që ka mbërthyer Telekomin, ndërmarrjen publike me aksionerë 100 për qind Qeverinë e Kosovës, sektorin strategjik dhe fitimprurës”, është thënë në reagimin e LV-së.
Sipas LV-së, privatizimin e Telekomit nuk duhet ta lejojnë as qytetarët dhe as punëtorët e kësaj ndërmarrje.
“Një përpjekje për privatizimin e Telekomit dështoi para katër viteve pas denoncimit të pazareve me kompaninë Axos Gmh. Tani pas mbylljes edhe të procesit të arbitrazhit me këtë kompani Kryeministri Haradinaj, verbtazi po ecën hapave të Qeverisë Thaçi II. Telekomi nuk duhet të privatizohet. Këtë nuk do ta lejojnë as qytetarët e Republikës së Kosovës as vetë punëtorët e Telekomit”, është thënë në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
/Epoka e re/