Lëvizja Vetëvendosje prish koalicionin me LDK-në në Junik, Gacaferi tregon arsyet
Themeluesi i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Junik, Lulzim Gacaferi i cili është shef i grupit të kuvendarëve të Vetëvendosjes në kuvendin komunal të Junikut, ka njoftuar përmes llogarisë së vet në “Facebook”, se ka prishur koalicionin me Lidhjen Demokratike në Junik. Gacaferi u ka kërkuar falje votuesve të Vetëvendosjes që ka kërkuar nga ta për ta votuar kandidatin e LDK-së në balotazh për kryetar komune Ruzhdi Shehun.
“Ju kërkoj falje, nuk e kam besuar kurrë që janë më të vërtetë të këtij profili. Kjo nuk ishte për çfarë e përkrahëm këtë pushtet. Më vjen më shumë sesa keq ndaj çdo aktivisti të Vetëvendosjes që i kërkova votën për LDK-në. Bindja ime ishte vetëm ndryshimi për të mirë sepse as një interes nuk e kam unë as familja ime nga pushteti.”, ka shkruar ndër tjera Gacaferi.
Nga 15 asamblistë sa ka gjithsej asambleja komunale ne Junik, koalicioni LDK-VV ka shumicën prej 9 asamblistëve ose 60% të Kuvendit Komunal. 6 asamblistë janë nga radhët e LDK-së, ndërsa 3 asamblistë ka LVV.
Njoftimi i plotë i tij:
LVV-JA NUK KA KOALICION ME LDK-NË NË JUNIK
Të nderuar qytetarë të Junikut, të dashur aktivistë dhe simpatizantë të LVV-së,
Siç të gjithë e dini, në raundin e dytë (balotazh) të Zgjedhjeve Lokale të vitit 2021, Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Junik, lidhi një marrëveshje në mbështetje të Lidhjes Demokratike të Kosovës me një qëllim të vetëm; ndryshimin demokratik të pushtetit dhe rrëzimin e keqqeverisjes 12 vjeçare të pushtetit të atëhershëm AAK/PDK
Pa mbështetjen e Vetëvendosjes, kryetari aktual nuk do ishte aty ku është sot, por i ndihmuam të vij në pushtet për një arsye të vetme; zhvillim dhe ndryshim pozitiv për qytezën tonë të përbashkët, Junikun.
Të dashur miq, qytetarë junikas, ju që më njihni e dini që falë Zotit dhe punës time në Gjermani gëzoj një status të mirë ekonomik, dhe nuk kam qenë, nuk jam dhe nuk do jem asnjëherë i varur nga asnjë pushtet lokal në Junik. Mbështetja për LDK-në ishte pasi sinkronizuam programin që përmbante ndryshime radikale të gjendjes aktuale të Junikut, rruga drejt Gjeravicës, shëndetësi 24 orë, ujë të cilësisë së mirë për banorët e lagjes “Agim Ramadani”, sheshi në qendër, muze, teatër, salla sportive, laboratorë të pajisur për nxënësit, bursa për studentët elitarë e premtime tjera që janë nevoja urgjente për vendin tonë.
Çfarë kemi aktualisht? Shkatërrim të varrezave, punësim të militantëve të LDK-së, ndërtim të stacionit të autobusëve pa leje, ndërtim të kasolles dhe uzurpim të parkingut të komunës, degradim të çdo sfere që mbulojnë dikasterët komunalë.
Ju kërkoj falje, nuk e kam besuar kurrë që janë më të vërtetë të këtij profili. Kjo nuk ishte për çfarë e përkrahëm këtë pushtet. Më vjen më shumë sesa keq ndaj çdo aktivisti të Vetëvendosjes që i kërkova votën për LDK-në. Bindja ime ishte vetëm ndryshimi për të mirë sepse as një interes nuk e kam unë as familja ime nga pushteti.
Sot, deklaroj që në mbështetje të deklaratës së Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Junik të datës 26 Shkurt të vitit 2022, ne nuk kemi koalicion me LDK-në. Ndjesë që shkoi kaq gatë, por besova se ky pushtet do reflektoj.
Po ashtu, deklaroj se LVV nuk posedon asnjë përfaqësues nga radhët tona në këtë qeverisje lokale.
E vetmja shpresë për ndryshimin e vërtetë është ardhja e Vetëvendosjes në pushtet në vitin 2025
Kjo është e pashmangshme dhe do të ndodhë!
Ju faleminderit!
LG