Lëvizja Vetëvendosje thotë se taksa me Serbinë nuk po zbatohet plotësisht
Lëvizja Vetëvendosje ka ngritur shqetësime se taksa e vendosur ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk është duke u zbatuar në tërësi.
Përmes një konference për media përfaqësues të këtij subjekti politik ka thënë se përgjegjës për lejimin e kontrabandës me këto mallra janë Ministria e Financave dhe institucionet në varësi si Dogana dhe Anti-kontrabanda si dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Policia e Kosovës.
Anëtari i Vetëvendosjes, Salih Zyba, ka thënë se në treg janë duke u vërejtur manipulime të shumta duke përdorur flamujt e vendosur pranë produkteve.
“Ka manovra të shumta me flamuj që janë të vendosur e nuk po përkojnë me vendet e origjinës siç e kërkon udhëzimi administrativ”, ka thënë Zyba.
Sipas këtij subjekti politik të dhënat e Doganës së Kosovës për importin, janë në mospërputhje me produktet që gjenden në treg.