Lewandowski: Jemi të kënaqur, por kemi shumë ndeshje përpara
Robert Lewandowski ndihet i lumtur me triumfin e Barcelonës në Superkupën e Spanjës.
Sulmuesi polak e shënoi një gol në fitoren e thellë, 5:2 ndaj rivalit historik, Real Madrid, në ndeshjen e zhvilluar në Arabinë Saudite.
Ish-futbollisti i Borussia Dortmundit dhe i Bayern Munichut e pati një bisedë me presidentin Joan Laporta pas ndeshjes.
“Më uroi dhe më tha se kemi luajtur mjaft mirë në pjesën e parë”, deklaroi fillimisht përfaqësuesi polak për “Movistar”.
“Ne luajtëm mjaft mirë në pjesën e parë. 30 minutat e fundit me një lojtar më pak ishin më të vështirë, por nëse je duke fituar 5:1 apo 5:2, duhet të jesh nën kontroll”, vazhdoi ai.
Lewa e analizoi edhe lojën e mbrëmshme. “Një ndeshje kundër Realit është gjithmonë një lojë vibruese, e aq më shumë në një finale. E rëndësishme është se si duam të luajmë tash dhe në të ardhmen. E dinim se sa më shumë gola që do t’i shënonim, do ta fitonim trofeun. Jemi mjaft të kënaqur, por pas tri ditësh do ta kemi ndeshjen tjetër. Tash mund të zbavitemi e të festojmë, por nga nesër duhet të përgatitemi për lojën tjetër”, nënvizoi veterani i sulmit.
Lewandowski foli edhe për momentin e Barcelonës. “Në kohën e Krishtlindjeve, kur ishim në shtëpi, ishte momenti i duhur për të menduar se ku kemi gabuar. Tash, deri në fund të sezonit kemi shumë ndeshje, kampionati, kupa, Championsi… Duhet të përgatitemi mirë, nuk ka rëndësi kundër kujt do të luajmë. Në pjesën e dytë luajtëm me më shumë qetësi, me më shumë eksperiencë”, përfundoi sulmuesi i Barcelonës.