
Lewandowski qëndron te Barcelona edhe një vit
Sulmuesi polak Robert Lewandowski do të vazhdojë të jetë pjesë e Barcelonës edhe për një sezon tjetër, ka konfirmuar agjenti i tij, Pini Zahavi.
“Lewandowski është 100% duke qëndruar te Barcelona këtë verë. Ai është i lumtur në klub”, ka deklaruar Zahavi për 365 Scores.
Agjenti i sulmuesit 35-vjeçar shtoi se lojtari do të respektojë kontratën e tij me klubin katalanas deri në përfundim të saj.
“Ai ka një kontratë me Barcelonën dhe do ta respektojë atë deri në fund. Sa i përket ofertave nga Arabia Saudite? Nuk kemi marrë asnjë dhe asnjë klub nuk ka kontaktuar me ne”, theksoi Zahavi.
Me këtë konfirmim, përfundimisht i jepet fund spekulimeve mbi një largim të mundshëm të Lewandowskit këtë verë, ndërsa ai pritet të jetë një lojtar kyç për ekipin e Hansi Flick në sezonin e ardhshëm.