Lewandowski synon ‘Këpucën e Artë’
Me golin e shënuar kundër Bayer Leverkusen, Robert Lewandowski është ngjitur në kuotën 30 në kampionat, një shifër që e kishte arritur më parë në sezonin 2015-16 dhe 2016-17. Polaku, me shumë mundësi numri 9 më i mirë në botë aktualisht, ka shansin të vendosë një rekord personal, duke rivalizuar yjet e tjerë për “Këpucën e Artë”.
Në klasifikimin që dekreton mbretin e shënuesve evropianë, Lewandowski kryeson me 60 pikë (Bundesliga, si të gjithë kampionatet më të mira të kontinentit e ka koeficientin 2). Shifra e arritur në 28 ndeshje mund të ishte shtuar, nëse sulmuesi nuk do të kishte humbur për shkak dëmtimi ndeshjet kundër Hoffenheim dhe Augsburg. Polaku ndiqet nga Immobile në kuotën e 54 pikëve, ndërsa Werner është i treti me 50.
Lewandowski mund të përmirësojë rekordet e tij edhe në kampionat teksa mund të provojë që t’i afrohet Gerd Muller. Në vendet e para duket të paarritshme kuotat (40, 38, 36) të fiksuara respektivisht në vitet 1972, 1970 e 1973. Më i prekshëm është vendi i katërt i Dieter Muller (34 gola me Koln në 1976-77), ndërsa polaku ka synimin që të parakalojë 31 golat e Pierre-Emerick Aubameyang dhe Lothar Emmerich (Borussia Dortmund 2016-17 dhe 1965-66).