Lewandowski thyen rekordin e legjendës Muller
Iu privua e drejta për ta fituar për herë të parë në karrierë “Topin e Artë”, por Robert Lewandowski nuk po dorëzohet.
Nuk arriti as ta fitojë “Këpucën e Artë”, por as në këtë pikë nuk është dorëzuar, vijon me të njëjtin intensitet edhe këtë sezon në kërkim të dy trofeve që i shpëtuan nga duart, pjesa tjetër është e gjitha një histori e bukur për t’u rrëfyer teksa me Bayernin fitoi gjithçka që ishte në lojë, pesë trofe.
Lewandowski dhe Bayerni kanë nisur këtë sezon gjithçka nga e para, sërish me të njëjtën uri teksa ndodhen një pikë larg kreut në Bundesligë, ndërsa në Ligën e Kampionëve e çmontuan Atletico Madridin me një “poker” golash. Ndaj Eintracht Frakfurt, polaku shpërtheu me një “tripletë” duke e dërguar në dhjetë numrin e golave të shënuar në pesë javë kampionat. Ky është një rekord absolut në Bundesligë duke kaluar edhe një legjendë si Gerd Mulleri. Shifra e sulmuesit polak vijon ta magjepsë botën e futbollit. Aktualisht është ai qendërsulmuesi më i mirë në qarkullim.