Lewandowski: Yamal, anësori më i mirë në botë
Robert Lewandowski po shkëlqen në kwtw edicion ku ka shënuar shtatë gola në po aq ndeshje. Vetëm Ayoze Perez me 6 gola dhe Raphinha dhe Kylian Mbappe me pesë gola mund të pretendojnë të jenë afër.
Duke folur për mediat në një intervistë të fundit, sulmuesi i Barcelonës thuri lëvdata të mëdha për fenomenin e ri të skuadrës Lamine Yamal dhe nuk u përmbajt duke e cilësuar si një nga më të mirët.
“Lamine Yamal është anësori më i mirë në botë”, ka thënë Lewa. “Një karrierë futbolli është kaq e gjatë, ndonjëherë nuk është e rëndësishme se si e filloni. Ajo që është më e rëndësishme është se si do të përfundoni apo si do të jenë vitet e ardhshme . Dhe në 15 vitet e ardhshme, ai do të jetë 32, dhe sigurisht që do jetë përsëri ndër më të mirët”, ka thënë ai kur u pyet nëse Yamal mund të bëhet më i miri në botë.
Me tre gola dhe pesë asistime tashmë në La Liga, 17-vjeçari ka qenë një nga lojtarët më mbresëlënës të ligës deri më tani dhe është nominuar si lojtari i muajit për shtator. Pasi ka hapur llogarinë e tij edhe në Ligën e Kampionëve, Yamal duket i gatshëm për lartësi të mëdha këtë sezon.