LGBT mbajti Paradën e Krenarisë në Prishtinë
Me moton, “Në emër të lirisë”, pjesëtarët e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), mbajtën Paradën e Krenarisë në Prishtinë. Kjo është hera e dytë që ky komunitet ka mbajtur një paradë të tillë.
Masa u tubua në sheshin “Skënderbeu” dhe më pas ka vazhduar drejt sheshit “Zahir Pajaziti”. Pas marshit nëpër qendrën e Prishtinës, përfaqësuesi i komunitetit LGBT, Lend Mustafa, ka thënë se janë bashkuar për të kërkuar lirinë.
“Sot në emër të lirisë i ftojmë institucionet shtetërore që të mos na e mohojnë identitetin, të ofrojnë mundësi të barabarta dhe t’i përmbushin përgjegjësitë e tyre për të drejtat e njeriut dhe të shkojmë drejt një shoqërie diverse”, ka thënë para masës së mbledhur, Lend Mustafa.
Ai ka falënderuar edhe aktivistët e LGBT nga rajoni që ndihmuan në këtë organizim.
Po ashtu, një falënderim të veçantë kishte edhe për Policinë e Kosovës, duke thënë se ishte tërë kohën në vendin e duhur për mbrojtjen e pjesëtarëve të LGBT-së, raporton “rel”.
Krahas organizatorëve nga ky komunitet, në paradë morën pjesë edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Natalyia Apostolova, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe personalitete nga shoqëria civile.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ofruar mbështetje institucionale për organizimin e kësaj parade.