Libani sulmoi me 3 raketa, Izraeli paralajmëron përgjigje të ashpër

22 mars 2025 | 13:01

Izraeli ka paralajmëruar një kundërpërgjigje të ashpër pas lëshimit të tre raketave nga Libani mëngjesin e së shtunës, në shkelje të marrëveshjes së armëpushimit të arritur në nëntor.

Raketat, që ranë pranë qytetit Metula, u kapën nga mbrojtja ajrore izraelite dhe nuk raportohet për të lënduar.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ndërsa kryeministri libanez u kërkoi forcave të sigurisë të shmangin përshkallëzimin e situatës. Shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, fajësoi qeverinë e Libanit për moszbatimin e armëpushimit që përfundoi 14 muaj luftime me Hezbollahun.

Në përgjigje, raporte nga Libani flasin për zjarr artilerie izraelite mbi zona jugore, megjithëse Izraeli ende nuk e ka konfirmuar këtë. Marrëveshja e armëpushimit mbetet e brishtë, pasi Izraeli vazhdon sulmet ajrore mbi objektiva të dyshuara të Hezbollahut dhe mban nën kontroll pesë lokacione në jug të Libanit, duke pretenduar se forcat libaneze nuk e kanë siguruar ende zonën.

Ky incident pritet të rrisë presionin mbi qeverinë libaneze dhe mund të përdoret nga Izraeli si dëshmi se kufiri nuk është plotësisht i kontrolluar. Ndërkohë, Hezbollahu ende nuk ka reaguar, duke u përballur me sfida të mëdha financiare dhe presion politik për t’u çarmatosur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Republikës së Kosovës të premten ka mbajtur mbledhje…