LIBE miraton në lexim të dytë rekomandimin pro liberalizimit të vizave për Kosovën
Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme e ka votuar në lexim të dytë projekt-rekomandimin që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave nga ana e Bashkimit Evropian (BE).
Me 47 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenime, komiteti ka dhënë dritën jeshile për miratimin përfundimtar të legjislacionit, i cili do t’i lejojë qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në BE dhe qytetarët e BE-së të shkojnë në Kosovë pa pasur nevojë për vizë, për periudhë deri në 90 ditë.
Komisioni për Liritë Civile ka miratuar në janar marrëveshjen e arritur me Këshillin në dhjetor 2022 për liberalizimin e vizave me Kosovën. Puna për dosjen ka filluar gjatë legjislaturës 2014-2019 dhe Parlamenti Evropian e ka mbyllur qëndrimin e tij në lexim të parë në fund të atij mandati.
Pas marrëveshjes së dhjetorit dhe miratimit nga Këshilli në leximin e parë më 10 mars, Parlamenti Evropian do të japë miratimin përfundimtar gjatë seancës plenare të 17-20 prillit në Strasburg.
Liberalizimi i vizave pritet të hyjë në fuqi sapo të jetë vendosur Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), më së voni më 1 janar 2024.