LIBËR ME VLERË PËR HISTORINË DHE POLITIKËN E PRESHEVËS
Shkruan: Bilall MALIQI
(Mr.sc. Reshat Neziri “ PRESHEVA historia-politike”, shb. “Lena” Prishtinë, 2020, fq. 225).
Mr.sc. Reshat Neziri para opinionit doli me një libër, libër ky i veçantë i karakterit historiko-politik, me titull “Presheva, historia-politike”, në të cilën ka hulumtuar argumente, fakte historike që nga kohët e hershme deri në ditët e sotme, në të cilat ka bërë një mbarështrim të efektshëm të lëndës studimore, në rrafshin historik dhe politik të komunës së Preshevës.
Këto tema, duke filluar nga ngjarjet historike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e posaqërisht të Preshevës, për të vazhduar kështu nëpër etapa historike, të cilat i ka pajisur me material të thukët e studimor, të vërtetuara mirë e të studiuara në mënyrë që libri të dalë ashtu si duhet, duke u servuar lexuesve material që deri më tani nuk e kanë hasur e as që e kanë lexuar.
Për Preshevën dhe preshevarët nëpër etapa të rëndësishme historike kanë shkruar studiues të ndryshëm vendorë, por sipërfaqësisht e në aspektin politik shumë pak, andaj autori ka hyrë më thellësisht në temat me të cilat përthekohet ky libër studimor, e sidomos në atë politik, që nga pluralizmi politik e deri në ditët e sotme.
Studiuesi, Reshat Neziri lëndën tematike të librit e ka shtjelluar bukur, e ka zgjeruar dhe thelluar dhe në masë të madhe ka arritur të gjejë pikën qendrore të vlerës artistike të librit.
Kur jemi te vlera e librit në të dy aspektet tematike si në atë historike dhe në atë politike, para nesh na del një kohë e ikur historike në të cilat ka jetuar dhe jeton populli shqiptar në këtë nënqiell që ka folur dhe flet shqip, peripecitë, padrejtësitë historiko-politike që iu kanë bërë popullatës, e sidomos nga sistemi monist, pastaj për të kalaur edhe në pluralizmin politik që e udhëheqnin dhe po e udhëheqin shqiptarët, porse me kompetenca shumë të vogla ekzekutive.
Reshati librin e ka ndarë në këta kapituj:/vështrim i rrjedhave historiko-politike që ndikuan edhe në Luginën e Preshevës, me nënkapitullin Presheva në vorbullën e ndërrimit të pushteteve të huaja dhe kapitulli/ tjetër / Lugina e Preshevës pas Luftës së Dytë botërore, Presheva gjatë viteve 1990-2020./
Po ashtu autori, gjatë përgatitjes së librit është konsultuar me literatura gjegjëse historiko-politike, të cilat i ka shtrirë gjithandej librit.
Tematika historike në libër është trajtuar mirë në aspektin përgjithësues, për t’ua rikujtuar lexuesve etapat historike që ka kaluar popullata autoktone e Preshevës nëpër rrjedha e lakadredha historike, të cilat duhet t’i dijë çdo shqiptar, sepse nëse nuk e njihni historinë e popullit shqiptar e posaqërisht të kësaj pjese shqiptare të cilës iu ka dedikuar libri, atëherë do të ngeleni larg diturisë së kauzës sonë kombëtare. Për këtë çështje, le të na kujtohet thënia:
“Nëse nuk e njihni historinë, është sikur kur të keni lindur dje” (B. Bertolucci).
Pra detyra morale dhe atdhetare e autorit të librit është arritur, duke ua mbledhur lexuesve të dhënat bazë të kohëve nëpër kapërcime historike.
Reshati këtij libri ia bashkangjiti edhe kapitullin tjetër, i cili ka të bëjë me politikën nga monizmi, pluralizmi politik e deri në ditët e sotme, duke pasqyruar bukur realitetet politike në të dy kohët, duke bërë një paralelizëm politik, me të cilat janë ndeshur përdit shqiptarët e këtij etnikumi, nga e cila ka pjellur edhe lufta e UÇPMB-së për çlirim dhe bashkim të kësaj pjese me Kosovën.
Këto rrjedha politike nëpër kohë dhe situata të ndryshme, pasqyrojnë një mori të padrejtësive si në rrafshin politik ashtu edhe në ate ekonomik.
Autori është një gjurmues i vërtetë dhe i rrallë, andaj këtë libër e ka rumbullakuar, duke ia dhënë shijen artistike dhe estetike dhe me këtë mund të themi lirisht se me këtë libër e ka fituar vulën e studiuesit të mirëfilltë.
Nga ky libër lexuesit, studiuesit e kësaj lëmie mund të nxjerrin ngjarje faktografike të ilustruara me një realitet të pakontestueshëm.
Autori është tip studiuesi dhe shprehjet, materialet i ka sistemuar ashtu si duhet dhe ashtu si e kërkon skeleti i të bërit libër të këtij formati dhe karakteri.
Ky libër në tërësinë e saj ka dy lëndë pasqyruese: ate historike, e cila mund të lexohet si një libër në vete, dhe në ate politike, sepse ngjarjet politike të cilat janë zhvilluar në këtë pjesë, nuk janë edhe të pakta, të gjitha ato lexuesit dhe studiuesit e kësaj lëmie i kanë në këtë libër të rrallë dhe të veçantë, i cili erdhi në momentin e duhur, sepse një libër i tillë i ka munguar Preshevës, historiografisë dhe poltikologjisë së kësaj pjese shqiptare.
Në aspektin përgjithësues libri ka vlerën, si në aspektin historik, politik, përmbajtësor, por edhe në atë artistik e grafik, dhe mund të themi se i ky libër ka bërë nderë Preshevës dhe historisë politike të saj.