Libër i shkruar me kompetencë dhe përgjegjësi historike

22 qershor 2018 | 20:09

Ismet RASHITI

Libri “Ilegal viteve shtatëdhjetë”, i autorit Gani Sylaj, është mishërim i idealeve më të larta kombëtare të një gjenerate veprimtarësh idealistë. Ky rrëfim i gjatë në vetën e parë i Gani Sylajt është një dëshmi pothuajse e përkryer e një kohe të vështirë, ku sa vinte e shtohej shtypja kombëtare ndaj shqiptarëve, shfrytëzimi ekonomik i Kosovës dhe mohimi i të drejtave elementare të njeriut, deri tek e drejta për jetë. Gani Sylaj me anë të këtij libri u ka dhënë vulë përpjekjeve të organizuara çlirimtare të viteve shtatëdhjetë, ku edhe vetë ishte ndër protagonistët kryesorë

Ka vite që nuk kam lexuar një libër me kaq pasion sa librin e autorit Gani Sylaj me titull mjaft domethënës, “Ilegal viteve shtatëdhjetë”. Sa herë që lexoja dhe në disa raste rilexoja pjesë nga ky libër, bëja të vetmen pyetje: Përse vallë një autor i këtij kalibri si Gani Sylaj e ka ndrydhur kaq gjatë imagjinatën dhe penën e tij të artë, për ngjarje kaq të rëndësishme historike. Athua pse ka qenë dashur kaq gjatë të presin lexuesit për librin “Ilegal viteve shtatëdhjeta”, kur një gjë e tillë, kam bindjen, është varur ekskluzivisht nga vetë autori, Gani Sylaj, si një nga protagonistët kryesor të lëvizjes ilegale gjatë viteve ’70-ta e deri në ditët e sotme. Ndoshta, pikërisht tani ka qenë momenti më i duhur që të dalë në dritë një libër i këtij niveli që paraqet në mënyrë objektive e me kaq shumë sinqeritet një periudhë të rëndë e me shumë të papritura të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. E rëndësishme është se autori Gani Sylaj ka qëndruar vertikalisht përgjatë gjithë jetës së tij në shërbim të çlirimit dhe bashkimit të tokave shqiptare. Sigurisht angazhimi i përditshëm, rrethanat ekonomike, ndjekjet dhe burgosjet e njëpasnjëshme kanë qenë arsye të bollshme që libri “Ilegal i viteve shtatëdhjetë” nuk e ka parë dritën e botimit më herët.

Libri i Gani Sylajt me titull “Ilegal viteve shtatëdhjetë” është libri më autentik për një periudhë të rëndë e më shumë të papritura për lëvizjen ilegale. Në fakt këtë libër e bën të veçantë mënyra e rrëfimit të së vërtetës pa fije subjektivizmi, duke paraqitur ngjarje herë-herë dramatike, por gjithnjë me kujdes të shtuar që të mos i kalon kufijtë e së vërtetës. Gani Sylaj, veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare, ish i burgosur dhe i përndjekur politik, trajton kujtimet e tij pa asnjë dozë subjektivizmi, e në disa raste edhe bie në grackën e modestisë së tepruar në mënyrë që e vërteta për këtë periudhë dhe sidomos aksionet ilegale që janë kryer të dalin sa më origjinale dhe objektive. Në këtë rrafsh, autori kujdes të veçantë i kushton lidhjes së fuqishme që ka ekzistuar nga një periudhë në tjetrën të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare rreth boshtit kryesor për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Vitet shtatëdhjeta nuk janë gjë tjetër përpos vazhdimësie e idealeve të gjeneratave pararendëse si Rifat Berisha, Kadri Halimi, Shaban Shala, Fazli Grajçevci, Adem Demaçi, Metush Krasniqi e shumë të tjerë të cilët i dhanë jetë rezistencës kombëtare në kohë dhe periudha të ndryshme.

Fillet e këtij organizimi, në kushte tepër të rënda dhe në ilegalitet të thellë, konkretizohen në verë të vitit 1972 me themelimin e celulës në shtëpinë e Mehmet Hajrizit, ku bënin pjesë Mustafë Ademi, Mehmet Hajrizin dhe Gani Sylaj, ndërkaq krah tyre gjithnjë qëndronin edhe Hamide e Hagjere Sylajsi një bërthamë e shëndetshme për të vazhduar pastaj lidhjet me Kadri Osmanin, Rexhep Malajn, Kadri Zekën, Xhafer Shatrin, Hydajt Hysenin, Jashar Alinë e shumë atdhetarë të tjerë, për të ardhur pastaj me zgjerimin organizativ edhe me Azem Sylajn e Jakup Krasniqin, Enver Dugollin, Fehmi dhe Ilmije Plakajn, dy motrat, Hamiden e Haxherën dhe vëllanë Ismail Sylaj të cilët në vazhdimësi u dëshmuan me kontributin e tyre atdhetar, deri te lufta e fun- dit çlirimtare.

Veprimi në kushte të rënda, mungesa e mjeteve teknike dhe financiare, paraqitnin vështirësi të mëdha në realizimin e objektivave të lëvizjes, e cila edhe në këto rrethana sa vinte e rritej. Aksionet e një pas njëshme për shpërndarjen e trakteve, shkruarja e parullave dhe sidomos botimi i gazetës “Zëri i Kosovës”, ishin ndër detyrat kryesore të celulës. Këto nuk kishin si të mos u binin në sy pushtetmbajtësve, ndaj kishin filluar përgjimet, ndjekjet dhe burgosjet të cilat paraqitnin peripeci të shumta në kryerjen e detyrave dhe zgjerimin e mëtutjeshëm të radhëve. Ndër aksionet më të organizuara në përmasa të gjëra, ishte shpërndarja e trakteve në Qendrën e Studentëve të Prishtinës, më 1974 nga Rexhep Malaj, Kadri Zeka, Gani Sylaj dhe Hydajet Hyseni.

Të tilla veprimtari ishin të shumta në vende dhe momente të caktuara, varësisht nga nevoja dhe situata politike që mbretëronte në vend. Duhet theksuar se në të gjitha këto raste autori ose ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë, ose ishte në dijeni, ndaj i përshkruan të gjitha me kompetencë dhe përgjegjësi të plotë publike ashtu siç kanë ndodhur në të vërtetë në kohë dhe hapësirë, pa hiperbolizime dhe përshtatje sipas nevojave ditore.

Libri “Ilegal viteve shtatëdhjetë”, i Gani Sylajt, sado që duket një rrëfim në vetën e parë, në fakt paraqet një plejadë të artë veprimtarësh të këtyre viteve të cilët me përkushtim dhe atdhetarizëm i dhanë hovë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Guximi, pjekuria politike, modestia dhe qëndresa nëpër burgjet e tmerrshme ish-jugosllave të këtij brezi atdhetarësh, dosido u bënë frymëzim për gjeneratat e mëvonshme deri te themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Që të mos ndalem në çdo ngjarje apo te secili protagonist veç e veç, me një fjalë mund të them se Gani Sylaj si një mjeshtër i përkryer ka ditur t’i gdhendë për mrekulli të gjithë njësoj dhe t’i radhisë aty ku e kanë vendin. Këtë mund ta bëjnë vetëm autorët e profilit të Gani Sylajt, të cilët në asnjë rast nuk vuajnë nga subjektivizmi dhe megalomania. Është e vetëkuptueshme se autori në të gjitha rastet veç e veç dhe në tërë strukturën e rrëfimit në librin “Ilegal viteve shtatëdhjetë”, mbi gjithçka tjetër ka pasur çështjen kombëtare. Si fëmijë i frymëzuar në odat tradicionale të Drenicës, si nxënës shembullor, si student, si piktor, si mësues dhe si i organizuar në lëvizjen ilegale politike, gjithnjë ka qenë i përkushtuar për çlirim kombëtar dhe bashkimin e trojeve shqiptare të ndara padrejtësisht. Gani Sylaj ka ditur ta kombinojë për mrekulli veprimtarinë legale me atë ilegale, duke pasur për qëllim çdoherë dhe kudo që i ka shkelur këmba zgjidhjen e kauzës kombëtare shqiptare. Dashuria për tokën e të parëve, lidhja emocionale me Drenicën dhe viset e tjera shqiptare kishin bërë që Ganiu të kthehej nga Parisi i bukur, ku ishte stre- huar për një kohë bashkë me motrën dhe Mehmet Hajrizin për t’i ikur përkohësisht ndjekjes nga UDB-a.

Në librin “Ilegal i viteve shtatëdhjetë”, Gani Sylaj bashkë me tërë këtë plejadë veprimtarësh, dalin si udhëheqës të thjeshtë që jetonin e merrnin frymë me hallet e popullit, si diplomatë të pjekur, si organizatorë dhe strateg dhe si guximtarë të pashoq për realizimin e aspiratave shekullore të shqiptarëve.

Autori i librit “Ilegal viteve shtatëdhjetë”, Gani Sylaj, ka bërë përpjekje të mëdha që brenda kopertinave të këtij libri të shkruajë deri në hollësi për të gjitha takimet dhe kontributin e secilit që ka dhënë në rrethanat ekzistuese. Kolegët e shkollave ku ka punuar, nxënësit e dalluar dhe bashkëveprimtarë të dalluar siç është edhe ish-ushtari i UÇK- së, Idriz Mehmeti, i përshkruan me dashamirësi, duke ndarë së bashku çdo sukses të arritur. Ganiu gëzohej qoftë edhe me një fjalë të mirë, me një poezi patriotike, e me një pjesë teatrale që sadopak shkonte në favor të çështjes kombëtare shqiptare. Problem në vete ishte ruajtja e materialeve ilegale si shkrimet për “Zërin e Kosovës”, traktet e librat, ndaj flet me admirim për të gjithë miqtë që e ndihmuan në ato ditë të vështira.

Nxjerrja e “Zërit të Kosovës” në rrethana të jashtëzakonshme me vizatimet e tij në faqen e parë, ishin momentet më të vështira, pasi që, përveç rrezikut nga UDB-a, barra më e rëndë qëndronte në përgjegjësinë politike e organizative që i kishte mbetur mbi supe pa dëshirën e tij. Burgosja e shokëve dhe shkëputja e lidhjeve kishin bërë që Gani Sylaj të shumë momente të ndodhej në situata të rënda e përplot rreziqe. Natyrisht këto nuk e thyen për asnjë moment nga qëllimi i tij final që ishte çlirimi i Kosovës nga okupatori serb.

Përdorimi i drejtë i gjuhës, mënyra e veçantë e rrëfimit të ngjarjeve përmes një përshkrimi të hollësishëm si dhe për- dorimi i figurave në vend të duhur dhe me shkak, kanë bërë që autori të mos bjerë në kurthin e areales siç po ndodh, fatkeqësisht, te shumë autorë ambiciozë.

Falë stilit të rrjedhshëm, shprehjes së fuqishme edhe përgjëratmëtëthjeshta, libri bëhet shumë i kuptueshëm dhe tërheqës për lexim nga të gjitha shtresat. Libri “Ilegal i viteve shtatëdhjetë”, i autorit Gani Sylajt, është i shkruar me kompetencë dhe përgjegjësi të lartë historike që lexohet me një frymë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bill Gates ka dhënë donacion 4.1 milionë dollarë për një…