
Liberalizimi i tregut të energjisë: Bizneset përballen me rritje të kostos
Duke filluar nga 1 qershori, kompanitë e mëdha në Kosovë duhet t’i zgjedhin vetë furnizuesit e tyre me energji elektrike. Derisa rregullatorët e cilësojnë këtë si hap drejt liberalizimit të tregut të energjisë, drejtuesit e bizneseve paralajmërojnë për rritje të kostove dhe paqëndrueshmëri ekonomike.
Me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRrE), të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.
Si pjesë e Ligjit për energjinë elektrike, kjo masë nënkupton që bizneset duhet ta zgjedhin vetë furnizuesin e tyre me energji elektrike.
Përfaqësuesit e tyre, por edhe afaristët paralajmërojnë se ky tranzicion, mund të shkaktojë çrregullime ekonomike dhe rritje të çmimeve të produkteve.
“Në momentin që neve na qesin nga furnizimi i rregullt në furnizim të parregulluar, unë besoj se rryma do të jetë mbi 70 për qind më shtrenjtë se aktualisht”, thotë Alajdin Fusha, përfaqësues i kompanisë “ABI SHPK”.
Kjo kompani, me bazë në Prizren, ka nën ombrellën e vet 13 kompani të ndryshme, që ofrojnë produkte ushqimore dhe shërbime të tjera, dhe punëson rreth 600 punëtorë.
Aktualisht, ajo paguan mbi 65 mijë euro në vit për faturat e energjisë së shpenzuar. Kostoja i është përgjysmuar që nga viti 2021, për shkak të investimeve në panele diellore.
Fusha thotë se me liberalizimin e tregut të energjisë, çmimi për kilovat nuk mund të pritet nën 15 centë, nga rreth 7 centë sa paguan kompania tash për tash.
Kjo, sipas tij, me doemos do të reflektojë edhe në koston e produkteve dhe shërbimeve.
Ku mund të furnizohen kompanitë me rrymë?
Sipas ZRRE-së, konsumatorët që dalin në tregun e liberalizuar të energjisë, mund të furnizohen nga çdo kompani vendore që posedon licencë ose nga kompani të huaja.
Operatori për Furnizim me Energji – KESCO është furnizuesi kryesor i licencuar për energji elektrike në Kosovë.
Çmimin e produkteve të tij e përcakton ZRrE-ja.
Sipas ZRRE-së, në Kosovë janë të licencuara edhe 18 kompani të tjera.
“Ato mund të kryejnë aktivitetin e furnizimit dhe tregtimit me shumicë të energjisë elektrike”, thuhet në përgjigjen e këtij rregullatori për “Radion Evropa e Lirë”, por nuk specifikohet më shumë rreth tyre.
KESCO, në një njoftim të publikuar më 5 mars, bëri të ditur se me kërkesë të ZRrE-së, kompanitë komerciale me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të duhet të zgjedhin furnizuesin me rrymë brenda 15 ditësh, pasi, nga data 1 qershor, nuk do të jenë më në listën e konsumatorëve me tarifa të rregulluara.
Ato do të kalojnë në furnizim me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.
“Pasoja për bizneset”
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, thotë se ky ndryshim në furnizim, do të ketë pasoja të rënda për bizneset e mëdha, të cilat janë kryesisht prodhuese.
Sipas tij, çmimi i rrymës as tash nuk është i lirë.
“Dhe, shtrenjtimi i radhës do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve në tregun vendor. Gjithashtu, mund ta dëmtojë edhe konkurrueshmërinë e tyre në tregun ndërkombëtar”, thotë Rafuna për “Radion Evropa e Lirë”.
Në Kosovë, bizneset aktive sipas numrit të punëtoreve ndahen në mikro, që kanë të punësuar nga 1 deri në 9 punëtorë; të vogla me nga 10 deri në 49 punëtorë; të mesme me nga 50 deri në 249 punëtorë dhe të mëdha me mbi 250 punëtorë.
Numri i dy kategorive të fundit arrin në rreth 17.300, sipas OEK-ut.
Rafuna thotë se OEK-u është interesuar për kompanitë tjera që përmend ZRrE-ja për furnizim, por, sipas tij, ato nuk funksionojnë si furnizues të rregullt.
“Institucionet nuk kanë krijuar kushte për një treg të hapur dhe konkurrues. Bizneset detyrohen të dalin në tregun e lirë, por pa pasur mundësi të negociojnë për një çmim më të lirë dhe energji më cilësore. Kjo mund të krijojë monopol nga KESCO-ja, e cila do t’i diktojë çmimet”, thotë Rafuna.
Ngjashëm shprehet edhe afaristi Fusha.
“Pas njoftimit të KESCO-s, jam interesuar për këtë çështje, por nuk ka kompani tjera që garantojnë ofertë të qëndrueshme. Në fund, sërish do të furnizohemi nga KESCO-ja, por me çmime shumë më të larta”, sipas tij.
“Radio Evropa e Lirë” pyeti KESCO-n se sa do të jenë çmimet për bizneset që hyjnë në tregun e liberalizuar dhe vazhdojnë të mbeten kliente të saj, por nuk mori përgjigje.
Aktualisht, për konsumatorët e amvisërisë dhe ata komercialë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh./REL