Liberalizimi i tregut të energjisë mbetet sfidë për t’u implementuar
Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike po mbetet sfidë në Kosovë. Kështu u tha të mërkurën në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, ku u diskutua për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për energjinë elektrike, me përfaqësues të KOSST-it, ZRrE-së, si dhe KEDS-it.
Anëtari i Komisionit nga radhët e PSD-së, Dardan Sejdiu, ka thënë se Ligji për Energjinë Elektrike, s’është në kuadër të objektivave të duhura. “Ligji është ende në fazën e përpunimit. Dinamika për energjinë elektrike është e ngadalshme dhe niveli i përmbushjes së pritjeve që drejtojnë nga ky ligj është i pakënaqshëm. Liberalizimi i tregut s’ka ndodhur. Edhe pse udhëzuesi paraqiste një kohëzgjatje me të madhe i njëjti nuk është implementuar sipas planit”, u shpreh Sejdiu.
Ai përmendi disa nene të Ligjit, që sipas tij, s’janë zbatuar. “Neni 8 s’është zbatuar. Neni 9 ka hasur në vështirësi të implementimit dhe probleme e KEK-ut për shkak të shpronësimit. Neni 35 mbi përgjegjësitë e balancimit. KOSTT s’ka qasje në tregun e balancimit. Neni 30 flet për sistemet e mbyllura e shpërndarjes. Ky nen s’ka gjetur ende zbatim. E drejta për ndërrimin e furnizuesit ende është një gjë në letër. ZRrE edhe pse ka licencuar shtatë furnizues tregu kontrollohet nga një furnizues. Neni 46 që flet për kërkesat kontraktuale nuk është zbatuar. Konsumatorët ekzistues s’kanë lëshuar asnjëherë kontrata për furnizim thjesht kanë vazhduar me pagu kontrata. Neni 49 mbi konsumatorët në nevojë ende nuk është zbatuar. Neni 53, 54 s’janë të harmonizuar me të drejtën e konsumatorit”, ka deklaruar Sejdiu.