Liberalizimi i vizave, Hoti: Po mundohemi mos ta shajmë BE-në dhe t’i mbajmë kriteret e plotësuara

02 tetor 2020 | 12:16

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ka folur për rëndësinë e marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen sot në mes të dy qeverive.

Hoti ka thënë se sot Kosova dhe Shqipëria kanë hyrë në një fazë të re të bashkëpunimit ndërshtetëror.

Sipas tij, kjo tregon përcaktimin e qartë të dy qeverive.

“Duke parë listën e marrëveshjeve, është shumë e rëndësishme për vendet tona. Besoj që sot me këto marrëveshje hyjmë në një fazë të re të një bashkëpunimi ndërshtetëror. Me këto marrëveshje, memorandume e protokolleve tregojmë përkushtimin dhe vendosmërinë për të ecur përpara në rrethana të reja. Kemi vlerësuar se përmes implementimit të këtyre marrëveshjeve siç është krijimi i fondit të përbashkët për Luginën e Preshevës dhe marrëveshjeve tjera, besoj që tregojnë përcaktimin tonë për të zgjidhur shumë nga problemet që i preokupojnë qytetarët dhe bizneset”, është shprehur Hoti, duke folur edhe  për masat që janë ndërmarrë në aspektin ekonomik, si pasojë e goditjes që ka shkaktuar pandemia e Covid-19.

“Është dashtë ta mobilizojmë të gjithë kapitalin tonë, në aspektin ekonomik dhe njerëzor. Ne mund të përmbyllim këtë vit me rënie ekonomike me minus një deri në tre për qind, nga parashikimet që kemi pasur deri në 11 për qind. Tash përtej kësaj po shtrohet nevoja që të kemi një qasje më afatgjatë për zhvillimin ekonomik, dhe ne kemi filluar hartimin e strategjisë zhvillimore për 10 vitet e ardhshme, që do të vejë kornizat për zhvillimin e të gjitha sektorëve”, ka thënë ai.

Më tutje, Hoti është ndalur tek sfidat që ka Kosova në politikën e jashtme. Ai ka thënë se së fundmi raportet me partnerët ndërkombëtarë ishin lënduar, dhe se rikuperimi i tyre ishte hapi i parë që duhet të ndërmerrte Kosova.

Në këtë kontekst, ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave.

“Ne kemi pasur shumë sfidë në diplomaci për të rivendos marrëdhëniet me partnerët tanë strategjik, marrëdhënie që ishin lënduar në kohët e fundit. Na është dashtë të marrim vendime tepër të nevojshme për të dhënë sinjalin që duhet të shihemi si kontribuues të paqes dhe stabilitetit, me një marrëveshje përfundimtare me fqinjin tonë verior dhe ku i gjithë regjioni.   Po mendohemi që gjatë kërkesës sonë të mos e shajmë shumë BE-në por të mbajmë të plotësuara kriteret”, ka thënë ai.

Në fund, Hoti ka folur edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se ky proces është sfidë për Kosovën.

“Dialogu mbetet sfidë për Kosovën. Ne kemi ndërtuar një platformë të qartë për dialogun. Besoj që po lëvizim mirë përpara. Unë jam i bindur në qasjen që kemi ndërtuar së bashku me partnerët e koalicionit se në këtë proces mund të lëvizim shpejtë përpara”, ka thënë Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas konfirmimit për njohjen e pavarësisë nga Izraeli, Kosova sot…