Liberalizimi i vizave pritet të shtyhet për vitin tjetër
Njohësit e integrimeve evropiane kanë shprehur skepticizëm se gjatë këtij viti mund të ndodhë vendimmarrja e BE-së për liberalizim të vizave për Kosovën. Ata kanë bërë me dije se ky proces, sipas të gjitha gjasave, do të shtyhet për vitin tjetër.
Drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se pritet që deri në muajin dhjetor çështja e liberalizimit të vizave të trajtohet nga BE-ja.
“Gjasat janë shumë të vogla. Ka mbetur edhe një takim i Këshillit të BE-së për Çështje të Brendshme dhe Drejtësi më 3-4 dhjetor 2020. Deri në muajin dhjetor çështja e liberalizimit të vizave do të trajtohet si prioritet brenda Këshillit të BE-së. Me gjasë, i gjithë procesi do të shtyhet për vitin 2021”, ka thënë Shasha.
Ai ka bërë me dije se për këtë proces Kosova ka humbur shumë kohë për arsye tërësisht politike.
“Ne kemi humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016 për shkak të mungesës së konsensusit të spektrit politik lidhur me çështjen e demarkacionit i cili u ka kushtuar qytetarëve të Kosovës pothuajse pesë vjet izolim. Në vitin 2016 BE-ja i hapi derën Kosovës që të jetë pjesë e Zonës Shengen, por skena politike e Kosovës e refuzoi këtë ofertë duke mbajtur kështu qytetarët e Kosovës të vetmit në Ballkanin Perëndimor pa të drejtën e lëvizjes së lirë. Ndërkohë, Kosova dështoi të ndërtojë një sistem të pavarur të drejtësisë i cili do të ishte në gjendje të shënojë përparim në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë” ka deklaruar ai.
Shasha ka thënë se janë së paku katër faktorë të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën.
Sipas tij, ata janë: mungesa e rezultateve në kuadër të luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, sfidat e shumta në fushën e sundimit të ligjit, ngecjet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe mungesa e vullnetit politik për liberalizim të vizave.
Edhe drejtoresha ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbëresha Loxha-Stublla, ka deklaruar për “Epokën e re” se BE-ja nuk jep ndonjë afat për këtë proces në raportin e fundit për Kosovën.
“E vërtetë. Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2020 edhe një herë konfirmon që Kosova ka përmbushur kriteret minimale për liberalizimin e vizave dhe një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Parlamenti Evropian. Por i njëjti nuk jep një afat të caktuar se kur kjo mund të ndodhë ngaqë një gjë e tillë tashmë është në dorë të shteteve anëtare të BE-së”, është shprehur ajo.
Ajo ka bërë me dije se tani gjithçka është në duar të vendeve anëtare të BE-së. “Parlamenti Evropian ka konfirmuar dy herë radhazi se tashmë Kosova ka përmbushur kriteret e nevojshme për liberalizim dhe se BE-ja duhet ta gjejë mënyrën që shtetet anëtare unanimisht të procedojnë tutje dhe ta mbajnë premtimin e dhënë”, është shprehur ajo.
Sipas drejtoreshës ekzekutive të GLPS-së, institucionet e Kosovës duhet të punojnë me vendet e BE-së që janë skeptike për këtë proces.
“Kosova duhet të bëjë përpjekje që në bashkëpunim me vendet skeptike të gjejë mënyra për t’i adresuar brengat e tyre karshi Kosovës. Një mundësi ka qenë krijimi i grupeve që do t’i identifikonin dhe më pas adresonin problemet e identifikuara nga vendet të cilat janë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Deri më tani asgjë konkrete nuk është ndërmarrë në këtë drejtim”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa analisti politik Faton Abdullahu ka kritikuar BE-në për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai ka vlerësuar se ky është një diskriminim anti-evropian që Brukseli po e bën kundër Kosovës evropiane. Sipas tij, vizat janë kthyer në një kartë politike kundër Kosovës për interesa të ndryshme klanore në BE-së.
“Mosdhënia e vizave për qytetarët tanë është diskriminim anti-evropian që e bën Brukseli kundër Kosovës evropiane. Ka vetëm një arsye që e definon mirë dhe qartë këtë: fakti regresiv sepse vizat tanimë janë kthyer në kartë politike kundër Kosovës për interesa të ndryshme klanore në BE të cilat deshifrohen mirë edhe nëse kuptohet arsyeja pse tash sa kohë kemi ftohjen e raporteve Uashington – Bruksel”, ka shkruar ai, duke shtuar se zgjedhjet në ShBA mund ta ndryshojnë këtë raport. “Shpresoj shumë se zgjedhjet në Uashington do të determinojnë një raport më të mirë të ShBA-së me Brukselin e, për rrjedhojë, edhe një qasje të re e më kualitative të kësaj të fundit ndaj Kosovës, sidomos ndaj dialogut tonë me Serbinë”, është shprehur ai.
As komisionari i BE-së nuk jep shpresë
As komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, nuk ka dhënë ndonjë shpresë se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të ndodhë së shpejti. Gjatë vizitës në Kosovë që pati para dy jave, ai ka thënë se Kosova duhet t’i bindë shtetet anëtare të BE-së për t’i liberalizuar vizat me Kosovën.
Ai ka përsëritur se për Komisionin Evropian, Kosova i ka përmbushur kushtet në këtë proces.
“Vlerësimi ynë mbetet se i keni përmbushur të gjitha kushtet, por nuk mjafton vetëm vlerësimi ynë. Duhet t’i bindim shtetet anëtare”, ka thënë ai gjatë adresimit të tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës me rastin e vizitës së tij në Kosovë.
Gjatë vizitës ai vuri në pah se përkushtimi i BE-së për integrimin e vendit të Kosovës dhe të rajonit mbetet prioritet edhe në të ardhmen.
Varhelyi ka theksuar se Bashkimi Evropian tani në fokus ka mbështetjen afatgjatë në rrafshin socio-ekonomik jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Ai ka thënë se përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë për të arritur një marrëveshje për zhvillimin e tregut rajonal.
“Kjo [marrëveshje] do ta shndërrojë rajonin në një vend atraktiv për investitorët. Do të thotë është në interesin tonë strategjik ta sjellim Ballkanin Perëndimor më afër BE-së. Ekziston një zbrazëtirë e madhe mes vendit tuaj, rajonit dhe BE-së. Aq më shpejt që e mbyllim këtë hapësirë, aq më shpejt fillojmë të krijojmë një ekonomi të qëndrueshme dhe të fuqishme”, është shprehur Varhelyi.
Udhëheqësit e Kosovës kohën e fundit e kanë kritikuar BE-në për këtë proces, duke thënë se padrejtësisht qytetarët e Kosovës po mbahen të izoluar. Më i zëshmi në këtë drejtim ka qenë presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Ai edhe në konferencën e fundit për media ka theksuar se është duke ndodhur një padrejtësi nga ana e BE-së për qytetarët e Kosovës në këtë proces, duke shtuar se institucionet e Kosovës kanë zbatuar të gjitha kriteret që kërkohen për këtë proces. “Po ndodh një padrejtësi e madhe për qytetarët e Kosovës kur dihet se institucionet kanë zbatuar në tërësi kriteret për liberalizimin e vizave”, është shprehur Thaçi.
Muahmet KOCI