“Liberalizimi i vizave punë e kryer, e pamundur që procesi të bllokohet”
Drejtori i Institutit të Kosovës për Politike Evropiane (EPIK), ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave, sipas të cilit procesi tashmë është i pamundur të bllokohet, ka folur po ashtu për dialogun Kosovë-Serbi, takimin e 18 marsit e dy skenarët.
Shasha në emisionin “Përballje”, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën është punë e kryer.
Kjo pasi Këshilli i Bashkimit Evropian, institucioni kryesor që e ka bllokuar procesin, të enjten e kaluar ka miratuar në lexim të parë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në këtë intervistë Shasha ka deklaruar se ky institucion edhe po të dojë, tani nuk ka rrugë ligjore për ta bllokuar procesin.
“Gjasat janë shumë të mëdha që çdo gjë do të finalizohet sa i përket procedurës ligjore vendimmarrëse deri në fund të muajit të ardhshëm. Dhe kjo lejon pastaj kohë të mjaftueshme që të përgatitet edhe sistemi ETIAS, por edhe në rast të mosfunksionalizimit të sistemit gjasat janë pothuajse 100 për qind që nga 1 janari i vitit 2024, qytetarët do të lëvizin lirshëm në zonën Schengen”.
“Është e pamundur në këtë fazë që procesi të bllokohet. Këshilli i Bashkimit Evropian ka qenë institucioni kryesor që e ka bllokuar procesin e liberalizimi. Këshilli javën e kaluar ka miratuar liberalizimin e tani edhe po të dojë ta bllokojë procesin nuk ka rrugë ligjore”, ka thënë ai.
Shasha tutje ka shpjeguar se i vetmi hap që ka mbetur është që Parlamenti Evropian ta miratojë rregulloren e ndryshuar.
“Nuk ka kthim mbrapa. Kjo është sikur një ligj që del Qeveria dhe e dërgon për votim në Kuvend. Ky i fundit e miraton në dy lexime, në lexim të parë dhe në lexim të dytë. Pastaj ligji dërgohet për publikim në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi. Nëse e bëjmë një krahasim, ne e kemi kaluar liberalizimin në lexim të dytë”.
“Besoj se çështja e vizave për Kosovën është punë e kryer dhe për shkak të përvojës së hidhur që kemi pasur, gjëja më e mirë është që të presim 1 janarin e vitit 2024 dhe me pasaportë në gjep të kalojmë kufirin e pastaj të festojmë”, është shprehur tutje ai.
Në këtë intervistë Shasha ka folur edhe për takimin e 18 marsit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Ohër si dhe marrëveshjen e darkoduar për Propozimin evropian mes dy liderëve shtetërorë.
Ai ka thënë se në këtë takim pritet të vazhdohet “diskutimi i mirë”, i cili u zhvillua më 27 shkurt në Bruksel, ku palët janë darkoduar për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas tij, në Ohër palët do të shkojnë një hap tutje – të dakordohen për planin e zbatimit të kësaj marrëveshje.
“Ajo për të cilën nuk janë darkoduar është plani i zbatimi, respektivisht aneksi i zbatimi. Në Ohër pritet që të shkohet një hap tutje. Pra, palët të dakordohen për aneksin e marrëveshjes”, ka deklaruar Shasha, duke shtuar se nuk pritet që të ketë nënshkrim ceremonial.
Ai tutje është shprehur optimist se palët do të darkohen për aneksin e marrëveshjes, pasi “jemi në një moment unikal kur të gjitha palët e përfshira përfitojnë më shumë nga arritja e marrëveshjes se sa që humbasin”.
“Kosova përfiton pasi lëviz nga status qou-ja e faktorizimit ndërkombëtar”, ka thënë drejtori i EPIK-ut.
Sipas tij, ky është skenari pozitiv sipas së cilit këtë javë do të ketë marrëveshje në Ohër./Telegrafi