Liberalizimi i vizave, Von Cramon thotë se duhet të priten zgjedhjet në Francë për ta sjell ndryshimin
Raportuesja për Kosovën në Bashkimin Evropian, Viola Von Cramon, ka thënë se zgjedhjet presidenciale që do të mbahen vitin e ardhshëm në Francë, do të sjellin progres në liberalizimin e vizave për qytetarët e shtetit tonë.
Në konferencën e organizuar nga “The Balkan Forum” me temën: “Jo regjimit të vizave: Koha për të vendosur qytetarët në rend të parë”, Von Cramon ka thënë se e kupton se sa irrituese është për qytetarët e Kosovës pamundësia për të udhëtuar pa përgatitur një sërë dokumentacionesh.
“Jam mbrojtësja më e madhe për liberalizimin e vizave për Kosovën. E kuptoj që është irrituese për qytetarët. Ne jemi duke munduar që të bindim qeverinë franceze për këtë çështje. Shumë njerëz që vijnë në Kosovë kanë opinion krejtësisht ndryshe nga ata. Ne besojmë që zgjedhjet në Francë vitin e ardhshëm do të sjell një progres tjetër”, ka thënë ajo.
Ndërsa ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se është e turpshme sesi Bashkimi Evropian nuk e ka mbajtur fjalën për liberalizimin e vizave.
“Nëse dikush do të më thoshte që edhe në vitin 2021, do të flisnin ende për vizat nuk do ta besoja. Ne i kishim plotësuar të gjitha kriteret, dhe kemi punuar shumë që të marrim rekomandimin. Kosova ende vazhdon të ketë një lidhej platonike me BE-në. Është e turpshme për BE-në pasi e ka shkel kontratën e tyre. Si mundet BE-ja të këtë kredibilitetin e njëjtë kur gjëra të tilla ndodhin. Fatkeqësisht integrimi i plotë është pothuajse i vdekur, ne ende nuk dëgjojmë askënd që flet për anëtarësimin për shtetet e Ballkanit”, ka thënë Çitaku.
Në anën tjetër, Gerald Knaus, kryetar i Iniciativës për Stabilitet Evropian, ka thënë se Kosova duhet të fokusohet në kërkesat e Holandës dhe Francës.
Më tutje, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Dukagjin Gorani, ka thënë se problemi kryesor qëndron se Bashkimi Evropian nuk është duke treguar direkt se çështja e liberalizimit të vizave ndërlidhet me procesin dialogut me Serbinë.
“Kjo s’ka të bëjë më çështjen e emigrantëve apo azilit. Unë nuk kam problem që nuk do të ketë viza pa u zgjidh problemi me Serbinë, por nuk kuptojë që kjo e vërtetë nuk po i tregohet Kosovës që çështja e vizave është e lidhur me çështjen e dialogut. Nëse kjo e vërtetë nuk thuhet direkt, çështja e dialogut do të prolongohet dhe kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë. Ne e dimë se Macroni i ka treguar krerëve që pa u zgjidhur çështja e dialogut ai nuk mund të bëjë asgjë. Në Kosovë besojnë se çështja e vizave nuk ka të bëjë me çështjet politike por me probleme tjera siç janë çështja e religjionit, korrupsionit etj. Kjo e vërtetë duhet të tregohet”, është shprehur Gorani.