“Liberalizimi s’ka kuptim pa Karton të Gjelbër”: Institucionet në kërkim të zgjidhjes
Lulzim Veseli ndau 100 euro për të paguar sigurimin e makinës për tre muaj, rrugës së tij nga Kosova për në Gjermani.
“Maltretim dhe i kushtueshëm”, thotë ai, teksa rrëfen për udhëtimin me makinë në fillim të shkurtit.
Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk bën pjesë në Këshillin e Byrove Evropiane dhe, rrjedhimisht, qytetarët e saj mbeten jashtë Sistemit të Kartonit të Gjelbër.
Kartoni i Gjelbër është certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të automjeteve dhe njihet nga autoritetet e 47 vendeve të Këshillit të Byrove Evropiane.
Në mungesë të tij, qytetarët e Kosovës, kur dalin jashtë, duhet të paguajnë shuma të ndryshme – varësisht kohëzgjatjes së qëndrimit në vendin e huaj.
Situata është e tillë prej vitesh, përkundër përpjekjeve të autoriteteve për të gjetur zgjidhje.
Por, ajo është risjellë në fokus pas liberalizimit të vizave për Kosovën, nga 1 janari i këtij viti, dhe rritjes së numrit të qytetarëve që udhëtojnë nëpër vende të ndryshme të Evropës.
Përveçse pranojnë kostot financiare që shkakton mungesa e Kartonit të Gjelbër, institucionet përgjegjëse nuk japin shumë informacione se çfarë është duke u bërë për të siguruar këtë sigurim të automjeteve.
Eman Rrahmani, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje – partisë në pushtet, e ngriti çështjen e mungesës së Kartonit të Gjelbër si temë në një mbledhje të Komisionit parlamentar të Kosovës për buxhet, punë dhe transfere, që u mbajt këtë muaj.
Ai tha se shkas ishte rritja e numrit të udhëtareve nga Kosova drejt vendeve të BE-së, pas liberalizimit të vizave.
Kartoni i Gjelbër është “barrë për qytetarët e Kosovës”, tha Rrahmani.
Ai nuk specifikoi se sa është rritur numri i udhëtarëve, por për këtë dukuri REL-i raportoi më 9 mars./rel