LIBERALIZIMI I VIZAVE DHE KONSENSUSI POLITIK

19 korrik 2018 | 17:47

Lulëzim ETEMAJ

Rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, sado që tepër i vonuar, e përafron ditën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, ditën që i jep fund getos dhe e kthen dinjitetin e tyre të nëpërkëmbur.

Qëndrimi kontradiktor i vendeve të caktuara të BE-së dhe vendosja e kritereve shtesë në raport me procesin e përafrimit dhe integrimit të Kosovës në BE është njëri nga shkaktarët pse qytetarët e Kosovës ende nuk e gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në hapësirat e vendeve anëtare të BE-së si dhe të atyre vendeve që nuk bëjnë pjesë në Zonën Shengen, por që e kanë statusin e anëtarit të asociuar, siç janë Zvicra, Norvegjia dhe Islanda. Shkaktari tjetër është faktori shtëpiak; klasa aktuale politike e Kosovës, qoftë ajo në pushtet qoftë në opozitë. Kjo klasë politike thjeshtë është përgjegjëse për vonesat në përmbushjen e kritereve të cilat i përmban në vete procesi i liberalizimit të vizave.

E, këto vonesa, për më keq, janë të karakterit politik dhe jo teknik. Qytetarët e asnjë vendi nuk duhet t’ia lejojnë vetës asnjëherë luksin e të votuarit fillimisht sipas inercionit, siç po ndodh zakonisht në votimet në Kosovës, për të qenë më pastaj të pakënaqur me të zgjedhurit, dhe atë vetëm deri në zgjedhjet tjera, kur sërish votojnë njëjtë, dhe të mos e ndjejnë asnjë fije përgjegjësie për mbetjen kaq të gjatë në geto.

Lënia prapa nesh e 100 metrave të mbetura nga kilometra i procesit të liberalizimit të vizave, të deklaruara dje nga komisioneri për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Qytetarinë në BE, Dimitris Avramopoulos, pa përkushtimin meritor të institucioneve të shtetit mund të jetë fatale për të gjithë procesin. Për të mos ndodhur kjo, vendi ka nevojë për konsensus të të gjithë spektrit politik. Ka një mori procesesh jo vetëm politike vendore të cilat i çon përpara, kuptohet në mënyrën e saj dhe në përputhje me politikat e veta, spektri politik qeverisës i një shteti.

Porse proceset ndërkombëtare kërkojnë gjithnjë një konsensus më të gjerë, jo domosdoshmërish maksimalisht. E, spektri politik shqiptar, pra jo vetëm ai i Kosovës, pikërisht konsensusin e domosdoshëm e ka pikë të dobët. Kosova ka forca të tilla politike që e dëshirojnë shumë konsensusin, porse vetëm konsensusin që ua krijojnë të tjerët, ndërsa vet nuk kanë as gatishmërinë minimale për të kur nuk ndodhen në pozita udhëheqëse të institucioneve të shtetit.

Është në dorën e spektrit politik të Kosovës ndërtimi i konsensusit të domosdoshëm për të kaluar me sukses sfidën e 100 metrave të fundit të procesit të liberalizimit të vizave, dhënë fund getos, dhe, kështu, për të hyrë së bashku edhe në përmbylljen e bisedimeve Kosovë-Serbi, të organizuara nga Bashkimi Evropian.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Federatës të Futbollit të Francës, Noel Le Graet,…