Liberia riafirmon marrëdhëniet dypalëshe me Kosovën
Qeveria e Republikës së Liberisë ka hedhur poshtë raportet në disa medie ndërkombëtare dhe sociale që flasin për revokimin e marrëdhënieve të saj diplomatike me Republikën e Kosovës.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Ministria e Jashtme e këtij vendi, “Liberia ishte një nga vendet e para që njohu sovranitetin e Kosovës më 30 maj, 2008, pas shpalljes së pavarësisë së saj, dhe mbetet e përkushtuar ndaj komunikimit të përbashkët mbi themelimin e marrëdhënieve diplomatike”.
“Të dyja vendet vazhdojnë të gëzojnë besimin e ndërsjellë dhe miqësinë”, është thënë në komunikatë.
Të mërkurën, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se ka pranuar një notë nga homologu liberian, Gbehzohngar Milton Findley, me të cilën, siç është shprehur, është njoftuar se Liberia e ka anuluar njohjen e Kosovës. Lajmi është përgënjeshtruar në të njëjtën ditë nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.