Liberia do të hapë ambasadë në Republikën e Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është takuar me presidentin e Liberisë, George Weah, me të cilin janë pajtuar për hapjen e ambasadës së këtij shteti në Prishtinë.
“Takimi me presidentin e Liberisë, z. George Weah, ishte vërtetë i përzemërt dhe në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet të dyja vendeve. Ndër të tjera, me presidentin Weah u dakorduam për hapjen e ambasadës së Liberisë në Prishtinë, ndërsa bashkëpunimin tonë ndërshtetëror do ta ngrisim në nivelin më të lartë”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se presidenti Weah ka theksuar qartë se Liberia si njëri ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën do të jetë fuqishëm në mbështetje të anëtarësimit të vendit tonë në organizata të rëndësishme botërore.
“Weah, i cili ka qenë dikur edhe fitues i ‘Topit të Artë’ të Evropës sa ka qenë lojtar i Milanit, u shpreh i gatshëm që bashkë me ekipin kombëtar të Liberisë të zhvillojë një ndeshje miqësore me përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Presidenti Weah i cili është edhe mik i vjetër i imi, pranoi me kënaqësi ftesën për ta vizituar Republikën e Kosovës”, ka shkuar Pacolli.
/Epoka e re/