Libia e mirëpret vullnetin e Kosovës për bashkëpunim më të madh në fushën e diplomacisë
Ambasadori i Kosovës në Belgjikë dhe BE, Agron Bajrami, është takuar sot me ambasadoren e Libisë në Belgjikë, Amel Jerary.
Në një bisedë miqësore, të zhvilluar në ambasadën e Libisë në Bruksel, dy ambasadorët diskutuan zhvillimet aktuale dhe sfidat e veçanta me të cilat përballen Kosova dhe Libia, përpjekjet e dy vendeve për forcimin e demokracisë dhe shtetësisë, si dhe situatat e përgjithshme gjeopolitike edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimorë edhe në atë të Magrebit.
Posaçërisht u fol për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Libi, si në politikë dhe diplomaci ashtu edhe në fushat tjera.
Ambasadori Bajrami u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e Libisë, e cila në vitin 2013 e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe prej vitit 2015 kemi marrëdhënie diplomatike.
Ai shtoi se tani është koha që këto marrëdhënie të funksionalizohen e thellohen më shumë.
Në anën tjetër, ambasadorja Jerary tha se Libia e mirëpret vullnetin e Kosovës për bashkëpunim më të madh, sidomos në fushën e diplomacisë.