Libra, video e raporte nga Serbia: Këto janë provat e fundit që prokuroria e Hagës i dorëzoi në rastin e krerëve të UÇK-së

22 prill 2025 | 11:47

Prokuroria e Specializuar në Hagë tashmë ka përfunduar me dorëzimin e të gjitha provave në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Grumbulli i fundit me dëshmi është dorëzuar më 14 prill.

Në parashtrimin të cilin e ka parë “Nacionale” është thënë se provat e fundit përmbajnë intervista të ndryshme, video, libra, raporte ndërkombëtare dhe serbe.

“Eksponatet e propozuara – të cilat përfshijnë artikuj dhe intervista mediatike, video, fragmente librash, raporte bashkëkohore ndërkombëtare dhe serbe, dokumente të UÇK-së, harta, dhe dokumente që kanë të bëjnë me statusin, vdekjen dhe/ose keqtrajtimin e viktimave”, është thënë në fillim të parashtresës.

Këto prova, Prokuroria e Hagës ka pretenduar se në qendër kanë organizimin dhe sipas tyre, strukturën e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe në këtë dokument, prokuroria ka thënë se anëtarët e “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK)” kishin qëllime kriminale.

“Të marra së bashku, ky grup provash demonstron: (i) nivelin e lartë të organizimit të UÇK-së dhe ish-qeverisë së përkohshme, se anëtarët e UÇK-së në Zonat dhe bazat e UÇK-së në Shqipërinë veriore vepruan nën autoritetin dhe në përputhje me udhëzimet e të akuzuarve, Shtabit të Përgjithshëm, se të Akuzuarit dhe anëtarët e tjerë të NPK-së kishin qëllimin e përbashkët kriminal, të cilin e zbatuan personalisht dhe nëpërmjet strukturave në vend. Eksponatet e propozuara gjithashtu vërtetojnë dhe plotësojnë prova të tjera dhe fakte të gjykuara në lidhje me krimet e akuzuara, konfliktin e armatosur dhe sulmin e përhapur dhe sistematik kundër popullatës civile, kontrollin efektiv të të akuzuarve, duke përfshirë drejtpërdrejt dhe nëpërmjet strukturave në vend, ndihmën praktike, inkurajimin dhe/ose mbështetjen morale që të akuzuarit kanë dhënë”, është thënë në këtë dokument.

Provat përfshijnë edhe rregulloret, urdhrat, operacionet, furnizimet, komunikimin, diskutimet me mediat dhe strukturat e tjera të UÇK-së.

“Në mesin e ekspozitave të propozuara janë deklaratat publike të njëkohshme të të akuzuarve, zyrtarëve të tjerë të UÇK dhe LPK-së , (i) njohja e autoritetit të UÇK-së, Shtabit të Përgjithshëm (ii) inkurajimi dhe/ose kërkimi i mbështetjes financiare, ushtarake dhe të tjera për UÇK-në; 24 (iii) denoncimi dhe kërcënimi i personave të lidhur me LDK-në, bashkëpunëtorëve të supozuar, personave të romëve dhe etnive të tjera, dhe kundërshtarëve të tjerë; dhe (iv) pranimi i sulmeve kundër krimeve ndërkombëtare, dezertimeve dhe kundërvënieve kundër detyrimet e ligjit për të drejtat e njeriut”, është thënë në këtë dokument.

Para këtij dokumenti, prokuroria kishte kërkuar të pranohen prova të shumta për zonat veç e veç, duke nisur nga Llapi, Drenica, Dukagjini e të tjera.

Avokatët e krerëve të UÇK-së kanë bërë të ditur se do të bëjnë mocion për hedhjen e disa, ose të gjitha, pikave të aktakuzës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AC Milan është ende në kërkim të drejtorit të ri…