Librat e vjetër, vështirë gjenden, shumë kushtojnë (kronikë e RTK-së)

31 tetor 2023 | 13:44

RTK-ja transmeton kronikë të gjerë për Panairin e Librit të Vjetër

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) në këtë muaj, derisa mbahej edicioni IV i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ka realizuar një kronikë të gjatë për këtë edicion të panairit.

Gazetarja Drita Miftari ka realizuar edhe intervistë me ndihmësorganizatorin e panairit, Berat Dakaj, ish-drejtorin e Bibliotekës Komunale “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës, Munish Hyseni, koleksionuesit Fitim Kameri dhe Ragip Mexhuani dhe me një qytetar i cili nga familja kishte trashëguar një libër të rrallë e të vjetër.

Dakaj, përpos që ka dhënë informacione të përgjithshme për organizimin e panairit, ka treguar se, nëse në vitet e ardhshme institucionet japin mbështetje më të madhe për organizimin e këtij panairi, do ta pasurojnë edhe me shumë aktivitete letrare dhe kulturore.

Munish Hyseni, ish-drejtori i Bibliotekës Komunale “Hivzi Sulejmani”, i cili i ka vizituar edhe edicionet e kaluara të këtij panairi, ka thënë se i bëhet qejfi që po organizohet ky panair i veçantë e që nga viti në vit po bëhet tradicional. Ai ka bërë krahasime të botimeve të sotme dhe të dikurshme, gjithashtu ka  treguar se atëherë kishte libra më pak, por lexohej më shumë.

Fitim Kameri, i cili ka ekspozuar tre botime të “Fjalorit frëngjisht-osmanisht” të hartuar nga Sami Frashëri, botimin e parë të vitit 1882, botimin e të tretë të vitit 1901 dhe të katërt të vitit 1905, ka treguar si i ka siguruar ata dhe çfarë librash koleksionon.

Për rëndësinë e këtij panairi dhe për restaurimin e librave të dëmtuar folën edhe Ragip Mexhuani dhe Gazmend Badivuku, i cili ndër breza kishte trashëguar një libër të Hasan Prishtinës të vitit 1921, të cilin e kishte sjell për restaurim.

Edicionin IV të këtij panairi e kanë mbështetur Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës dhe Drejtoria e Kulturës e komunës së Prishtinës.

(13) Qyteti i Librave 21.10.2023 – YouTube

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj,…