Librat më të vjetër në librarinë e Agim Vincës

14 dhjetor 2024 | 00:29

Profesori, poeti, studiuesi i letërsisë, Agim Vinca, në kuadër të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, organizuar në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania” në Prishtinë, në qendrën “Libart”, të enjten për rreth dy orë ka bashkëbiseduar me të pranishmit për shumë tema me rëndësi, kryesisht për letërsinë, gjuhën, kritikën, historinë, politikën, për librat. E i pyetur nga moderatori, ish-studenti i tij, poeti dhe studiuesi Bedri Zyberaj, se cilat janë librat më të vjetër që keni në bibliotekën tuaj personale, ai ka treguar disa prej librave që kishte marrë me vete për t’ua paraqitur të pranishmëve dhe, në një mënyrë, për t’i sfiduar koleksionuesit e librave të vjetër dhe të rrallë.

“Për këtë panair të librit të vjetër kam sjell disa libra të vjetër dhe të rrallë. Është ky, ‘Makbethi’ i Shekspirit përkthyer nga Noli, botuar në Bruksel në vitin 1926. E kam këtë tjetrin, ‘Rubairat’ e Omer Kajamit, shqipëruar nga Rushit Bilbil Gramshi, që ishte një nga pseudonimet e Nolit, botuar në Bruksel më 1927. E kam këtu edhe veprën e Fishtës, ‘Mrizi i zanave’ dhe ‘Vallja e Parrizit’, botuar të dy në një libër, me autograf të At’ Gjergj Fishtës. Nuk ma ka dhënë mua autografin, por këtu në kapak është autografi i tij. Është botim i vitit 1924. Nga Fishta kam edhe ‘Gomari i Babatasit’, botim i vitit 1923… E kam, gjithashtu, ‘Vargjet e lira’ të Migjenit, botuar në Tiranë më 1944. Jo botimin e parë të vitit 1936, se ai u censurua. E kam edhe librin ‘Sikur t’isha djalë’ të Stërmillit. Jo botimin e parë të 1935-s, por të dytin, të 1936-s, me letrat e lexuesve”, tha Vinca, i cili paraqiti edhe disa libra të vjetër, kurse me vete kishte marrë edhe librin e vet të parë, “Feniks”, të cilin, më 14 dhjetor të vitit 1972, ia dhuron së dashurës me këtë shkrim: “Fluturës sime të dashur me rastin e ditëlindjes së saj të 19”.

Tekstin: Berat Armagedoni. Fotografinë: Zjarr Bujari

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori, poeti, studiuesi i letërsisë, Agim Vinca, në kuadër të…