Libri i Elidor Mëhillit mbi Shqipërinë fiton dy çmime prestigjioze në ShBA
Libri “Nga Stalini te Mao-ja: Shqipëria dhe Bota Socialiste” i autorit shqiptaro-amerikan Elidor Mëhilli, profesor në City University of New York (SHBA), është nderuar së fundmi me dy çmime nga institucioni akademik më prestigjioz ndërkombëtar për studimet ruse, euro-aziatike, dhe europiano-lindore me qendër në SHBA.
Libri i Mëhillit është botuar në gjuhën angleze vitin e kaluar nga shtëpia botuese e universitetit Cornell (Cornell University Press). Prezantimi i tij i parë u bë në Tiranë, më nëntor 2017, tek “Ditët e kujtesës” organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë.
Çmimi “Davis Center Book Prize” sponzorizohet nga qendra Davis për Studimet ruse dhe euro-aziatike në Universitetin e Harvardit dhe jepet për librin më të mirë mbi Rusinë, Euro-azinë, apo Europën Lindore në fushat e antropologjisë, shkencave politike, sociologjisë apo gjeografisë.
Çmimi “Marshall Shulman” sponsorizohet nga Universiteti Kolumbia në Nju-Jork dhe jepet për librin më të mirë mbi marrëdhëniet ndërkombëtare apo politikat e jashtme të shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik dhe të Europës Lindore.
Libri i Mëhillit mbështetet mbi tetë vjet punë arkivore në Shqipëri, Rusi, Gjermani, Itali, Britani, Çeki, dhe SHBA. Mëhilli është profesor në Nju Jork që prej vitit 2013. Çmimet do të ndahen zyrtarisht në Boston, në dhjetor të këtij viti.