Libri i Elife Luzhës, “Falë i qofshim Kosovës” mëton të jetë publicistik, por është më tepër se kaq
Prof.Dr. Sabile Keçmezi Basha
Që në fillim dua të them, se atdhetaren dhe hulumtuesen e palodhur Elife Luzhën asnjëherë nuk e kam takuar dhe nuk e kam njohur nga afër. Por për të kam lexuar dhe kisha njohuri për rrugën jetësore të saj. Disa herë komunikuam me telefon dhe, thënë ndryshe, ashtu në distancë krijuam një miqësi të sinqertë.
Elifja është një hulumtuese e pasionuar për ngjarjet historiko-politike dhe për vetë aktivitetin e grave në përgjithësi, e në veçanti për ato që sakrifikuan çdo gjë për lirinë e Kosovës. E dija se ajo ka shkruar poezi qysh nxënëse e shkollës fillore, duke vazhduar edhe tani, por krahas poezive ajo studion dhe merret me marrëdhënie ndërkombëtare, por edhe me publicistikë.
Pas një bisede që pata me të, më tregoi se kishte përgatitur librin e radhës me shkrime publicistike, “FALË I QOFSHIM KOSOVËS”. Dhe, me mirësjellje m’u lut, që të jepja një mendim për shkrimet e saj. Kërkesën e saj e mirëprita, por koha e pakët ishte ajo që më krijonte dilema. I premtova se do të bëja gjithçka dhe do ta lexoja librin.
Kënaqësia ishte e papritur. Librin e lexova me një frymë dhe isha tej mase e kënaqur.
Tek lexoj faqet e librit, sidomos biografinë e autores, që në këtë libër ajo e ka vendosur që në fillim dhe mendoj se ka bërë mirë, vërej se libri është i mbushur me plot dhimbje dhe vuajtje, burgosje e keqtrajtime, përjashtime nga shkolla e lëçitje nga të afërmit dhe duhet thënë se kjo biografi dhe ky libër nuk është vetëm biografi e saj, por më shumë se kaq; nuk është histori, por më shumë se kaq; nuk është vetëm qëndresë, por më shumë se kaq dhe të gjitha këto e bënin Elifen edhe më fisnike, edhe më trime, edhe më të papërkulur ndaj presionit, dhunës e terrorit jugosllav. Elifja si vajzë asnjëherë nuk e njohu fëmijërinë dhe rininë e saj, ajo është pjekur para kohe nga vuajtjet e stërmundimet brenda qelive të ftohta të burgjeve të Jugosllavisë. Në ato qeli të pista ajo njohu edhe shumë bashkëveprimtare të devotshme, të cilave okupatori iu kishte shqiptuar shumë vite burg. E ato nuk u frikësuan, nuk folën, nuk dhanë shokët e idealit, por qëndruan stoike, siç iu kishte hije, siç i kishin mësuar të parët.
Libri i Elife Luzhës mëton të jetë publicistik, por është më tepër se kaq, është debutues, por ka më shumë se debat; është aktual, por që shkrihet e gërshetohet në mënyrë spontane me të kaluarën. Në libër ka vlerësime të shumta për gratë, por që nuk ngelin mbrapa as burrat, ndaj themi se libri i Elife Luzhës është trinom i së djeshmes, të sotmes dhe të ardhmes për të mirën e popullit shqiptar.
Çfarë mund të thuhet tjetër! Duke lexuar vështrimet e saj, padiktueshëm më pushtoi një dhimbje e fortë, por edhe krenari, se kjo zonjë sot, është nderi dhe dëshmia më e mirë e historisë së lëvizjes ilegale në veçanti dhe e historisë kombëtare në përgjithësi.
Elife Luzha e ndan librin në dy pjesë: “Kalvar vuajtjesh” (Shkrime rreth pozicionit të gruas në shoqëri) dhe “Nëpër erërat e kohërave” (Shkrime rreth politikës dhe artikuj të ndryshëm) dhe secila pjesë në vetvete ngërthen dhembje, dashuri, mall, tragjedi, dëshirë, por në asnjë shkrim nuk gjen urrejtje dhe përbuzje për njeriun. Elife Luzha nuk e harron të kaluarën, por lutet për një të ardhme më të mirë, pa luftëra, urrejtje, stërkëmbësa dhe pa hipokrizi. Ajo është e vetëdijshme se çfarë kemi kaluar, por është edhe më krenare kur cek se, edhe po të kishte një jetë tjetër, do të vepronte njësoj për lirinë e vendit.
Sikurse gjatë bisedave të lira që pata me Elifen, po ashtu edhe në shkrimet e saj, ka si subjekt të përhershëm analizën, kërkesën, llogaridhënien ose deskriptimin e situatës aktuale në shtetin e lirë të Kosovës. Duke parë përmbajtjen e librit dhe gjatë leximit të vëmendshëm, që lexuesi mund ta ndeshë në fletët e librit, vëren se preokupimi i autores është që t’i ruajmë frytet e lirisë dhe, me anë të këtij libri, autorja Luzha ka arritur që, në mënyrën më sublime, të freskojë dhe të ringjallë kujtesën kolektive, për historinë tragjike e të dhembshme, që kanë kaluar shumë e shumë gjenerata të Kosovës martire. Ky libër na imponohet edhe për një arsye tjetër, që të mos na përsëritet historia, sepse nëse ajo harrohet, jemi të detyruar ta përsërisim, bubullon mes rreshtave Elife Luzha.
Në tërë shkrimet e këtij libri, Elife Luzha, kjo nënë, motër dhe vajzë shqiptare, e mërguar mbi tridhjetë vjet jashtë Kosovës, e mbajti moralin gjithnjë lart, të panjollosur, jo një ditë, javë, muaj apo vit, por një jetë të tërë, në kushte robërie, që edhe sot është e përkushtuar, në kushte të reja lirie, e përsëri angazhohet, që me shkrimet e saj të depërtojë sa më thellë në ndërgjegjen dhe në kancelaritë e vendimmarrjes për të ecur përpara të sigurt.
Ajo dhe gra të tjera shqiptare ditën të qëndrojnë stoike, duke u përballur me okupuesin në kushte të pabarabarta në çdo segment të jetës, të diskriminuara e të përbuzura, vetëm e vetëm sepse kërkonin lirinë që nuk e kishin. Dhe, është pikërisht ky qëndrim stoik, që ato janë sot nderi, krenaria dhe lavdia e kombit shqiptar. Autorja duke qenë vetë e përndjekur, e burgosur politike, me anë të këtij libri vendos edhe një lule në panteonin e nderit, lavdisë dhe krenarisë së femrës martire shqiptare nga vitet e largëta e deri më sot, duke kryer me fisnikëri dhe modesti një detyrë shpirtërore dhe humane, ndaj së cilës të gjithë përulemi me respekt.