“Libri i luftës” i Nuhi Bytyçit çmohet vepër me vlera historike edhe në Tetovë
Afaristi i njohur i përmasave ndërkombëtare, Lazim Destani ka shprehur gatishmërinë që të kontribuojë për përkthimin dhe botimin e “Librit të luftës” edhe në gjuhën angleze
Në kudër të manifestimeve tradicionale “Tetova feston nëntorin 2019”, në Tetovë u bë promovimi i “Librit të luftës” të autorit gazetarit e publicistit të njohur shqiptar Nuhi Bytyçi. Promovimi filloi me shfaqjen e xhirimeve dokumentare nga ngjarjet e shumta historike nga të gjitha trojet etnike shqiptare të periudhës mëse 40-vjeçare, nga të cilat ka raportuar dhe përgatitur edhe dokumentarë të ndryshëm e që janë përfshirë edhe në këtë libër.
Duke e hapur këtë eveniment të rëndësishëm, gazetari tetovar, Seladin Xhezairi, përkujtoi: “Kolegu im Nuhi Bytyçi, qysh nga periudha e punës në Radiotelevizionin publik të Prishtinës, me guximin e tij intelektual ishte pjesë e rezistencës kombëtare edhe në kohën e tubimeve gjithëpopullore kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës, edhe në grevën e minatorëve të “Trepçës” në vitin 1989. Natyrshëm, ai ishte në këtë rol, edhe më 2 korrik 1990, në ditën e shpalljes së deklaratës kushtetuese për Kosovën Republikë. Në epokën e rezistencës së viteve nëntëdhjeta, gazetari Nuhi Bytyçi me profesionalizëm kreu detyrën e gazetarit, duke afirmuar organizimin e sistemit të pavarur të Republikës së Kosovës në fushën e arsimit, të shëndetësisë dhe të financimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”.
Xhezairi ka shtuar se gazetari shumëvjeçar, publicisti i njohur shqiptar, Nuhi Bytyçi ka luajtur rolin jo vetëm të gazetarit e të intelektualit, por edhe të protagonistit, rolin e krijuesit të klimës politike për rezistencë kombëtare kundër okupimit serb.
Xhezairi ka theksuar se me fillimin e hovshëm të luftës çlirimtare, në vitin 1998, Nuhi Bytyçi bëhet pjesë e kësaj lufte, duke raportuar dhe duke realizuar emisione televizive për rezistencën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga Drenica, Dukagjini, deri te Llapusha, Anadrinia, Llapi, Shala dhe Neredimja.
“Libri i luftës është libri i luftës për thyerjen e censurës në Televizionin e Prishtinës, Libri i luftës për të vërtetën e Kosovës, i luftës për mposhtjen e frikës dhe dinamizimin e lëvizjes për liri, Libri i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i Kosovës së Lirë, Libri për kontributin e diasporës shqiptare në të gjitha proceset e popullit shqiptar para, gjatë e pas luftës, Libri i luftës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni, i Luftës për mbrojtjen e UÇK-së në Tribunalin e Hagës, është libri i rrugëtimit për Pavarësi dhe shtetndërtim”, ka thënë Xhezairi.
Ndërkaq, duke folur për veprimtarinë e Nuhi Bytyçit si gazetar profesionist, ish-kolegu i tij i studimeve, ish-drejtori i Agjencisë së informacionit të Maqedonisë, profesori universitar Vebi Bexheti, ka theksuar se “Libri i luftës” i Nuhi Bytyçit përmes rrëfimeve origjinale dokumentare nga ngjarjet të cilat i ka përjetuar vet dhe ka raportuar nga to, na i përkujton që mos t’i harrojmë ato ngjarje. “Ky libër ka vlera të posaçme për historinë dhe publicistikën shqiptare dhe si i tillë do të jetë dëshmi e rrugëtimit të gjatë e të vështirë të popullit shqiptar”, është shprehur ai.
Bexheti ka përkujtuar kontributin dhe përkushtimin profesionist të Nuhi Bytyçit, të kolegut të tij Qani Mehemdit dhe kolegëve tjerë të tyre nga Radiotelevizioni i Kosovës për të informuar opinionin lidhur me zhvillimet gjatë periudhës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni në vitin 2001.
Në emër të organizatorit të promovimit, Ahmed Qazimi nga sektori i arsimit i Tetovës, ka theksuar se: “për ne është nder dhe privilegj për ne që në kuadër të manifestimit ‘Tetova feston nëntorin’ të prezantojmë këtë vepër të rëndësishme, që i jep zë origjinal luftës çlirimtare të Kosovës, në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni dhe na mundëson që të njihemi për së afërmi me këtë histori të lavdishme nga pena e një gazetari, i cili me përkushtim shpalos ngjarjet të cilat i ka përjetuar gjithandej në terren dhe në fushë beteja”.
Ndërkaq, sponsori kryesor i “Librit të luftës”, afaristi i suksesshëm edhe në nivel ndërkombëtar, Lazim Destani ka thënë se duke e njohur mirë veprimtarinë e gazetarit të dëshmuar profesionist, Nuhi Bytyçi qysh nga vitet ‘90-ta, ka vlerësuar se duhet ta mbështes pa asnjë rezervë botimin e librit të tij, i cili pa dyshim ka përmbajtje dhe vlera tejet të çmueshme për historinë më të re kombëtare.
Destani ka shprehur gatishmërinë që të kontribuojë edhe për përkthimin dhe botimin e “Librit të luftës” edhe në gjuhën angleze.
Duke falënderuar për vlerësimet e Seladin Xhezairit, Vebi Bexhetit, Ahmed Qazimit dhe të Lazim Destanit lidhur me “Librin e luftës”, si dhe organizatorin e promovimit Jeton Pustinën, autori i librit Nuhi Bytyçi ka thënë se mesazhi i tij për opinionin, të cilin është munduar që ta thotë edhe në “Librin e luftës”, është i qartë: e tërë jeta e njeriut është luftë, ndërsa e tërë veprimtaria e një gazetari profesionist është lufta për të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. “Unë personalisht, nuk kam kursyer asgjë vetëm e vetëm që opinionit t’ia paraqes të vërtetën për njeriun e tokës sonë, për ngjarjet, proceset dhe zhvillimet që lidhen me aspiratat e popullit shqiptar në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë veriore, në Kosovën lindore, në Mal të Zi, në diasporën tonë për liri, pavarësi, prosperitet dhe bashkim kombëtar”, ka thënë ai.
Bytyçi ka përkujtuar se “atëherë kur gazetari rrezikon çdo gjë, madje edhe jetën e tij për ti shërbyer interesave të publikut, popullit, e kurrsesi interesave të politikës ditore dhe interesave të biznesit, arrin ta kryej me sukses misionin e vet profesional, kombëtar dhe human”.
“Libri i luftës”, shtoi Nuhi Bytyçi ka plot shembuj konkretë se si një gazetar, edhe në rrethana okupimi, në rrethana të terrorit shtetëror policor e ushtarak, edhe atëherë kur në tunelin e gjatë nuk shihet asnjë dritë, me përkushtimin, vendosmërinë dhe sakrificën e madhe, me informatat e vërteta dhe inkurajuese, mobilizon një popull të tërë dhe botën demokratike për të marrë energji dhe për të vepruar e luftuar për realizimin e synimeve të veta drejt lirisë, prosperitetit dhe civilizimit europerëndimor.
Bytyçi ka theksuar se shqiptarët e Maqedonisë veriore në të gjitha periudhat dhe proceset politike e të tjera kanë qenë përherë pranë vëllezërve e motrave të tyre në Kosovë dhe kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm sidomos gjatë luftës për liri dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe në ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës. “Në librin tim jam përpjekur që të fokusohem ne mënyrë të veçantë edhe në zhvillimet në Maqedoninë veriore nga vitet ‘90-ta, kur u paraqitën në skenë edhe intelektualët dhe forcat politike shqiptare, në krye me Arben Xhaferin, Nevat Halilin, Ilaz Halimin e të tjerë, por edhe zhvillimet dramatike gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare udhëhequr nga komandanti i përgjithshëm Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tij”, ka thënë autori i librit.
Nuhi Bytyçi para pjesëmarrësve të promovimit të librit të tij autobiografik përkujtoi edhe këto momente: “Ishe kënaqësi për mua dhe kolegun tim Qani Mehmedin, që përmes kronikave dhe emisioneve tona speciale të informojmë opinionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar lidhur me zhvillimet gjatë periudhës së luftës në Malësinë e Tetovës, në Shipkovicë, në Radushën kryengritëse, në fshatrat e Likovës, në Orizaren e Ismet Jasharit-Kumanovës, në Sllupcan, Hotël, në Opajë, në Mateq, ku ranë heroikisht edhe trimat e Malishevës Labinot Krasniqi, Elmi Hoti dhe Visar Krasniqi, në Vaksincë, ku ra heroikisht Fadil Nimani-Tigri e në malësinë e Gostivarit, në vendin ku ra edhe Heroi i kombit Tahir Sinani, Hyrë Emini, Naser Ademi, Brahim Ademi e Hisë Fazliu”.
Me këtë rast Bytyçi ka falënderuar ish-drejtorin e Agjencisë së informacionit të Maqedonisë, Vebi Bexhetin, i cili e kishte mbështetur atë, duke siguruar edhe akreditim zyrtar për ekipin e RTK-së që mos të ketë pengesa nga policia maqedonase dhe të pasqyrojë zhvillimet e periudhës së luftës çlirimtare në Maqedoni. Ndërkaq, për kontributin e tyre në botimin e “Librit të luftës” autori ka falënderuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve të Republikës së Kosovës dhe mikun e tij, afaristin e përmasave botërore, Lazim Destanin, pastaj botuesin Berat Dakën, recensentin e librit, Bajram Kosumin, redaktorët Haqif Mulliqi e Muhamet Mavraj, birin e tij Arianitin për sugjerimet përmbajtësore, autorin e fotografisë së ballinës Avni Selmani, dazajnerin Luan Tashi dhe shtypshkronjën “Iliri” në Prishtinë.
Nuhi Bytyçi, shfrytëzoi këtë rast që të falënderoj në mënyrë të veçantë familjen e heroit të Kosovës, Ismet Jasharit – Komandant Kumanovës, të cilin e kishte takuar dhe intervistuar në malet e Kleçkës, familjen e mikut të tij Ramadan Sinanit, si dhe familjen e Enver dhe Naim Xhaferit në Bogovinë të Tetovës, ku ai dhe familja e tij kishin gjetur strehim dhe mbështetje të madhe në kohë të vështira, në fillim të prillit të vitit 1999.
Nuhi Bytyçi ka paralajmëruar se gjatë dhjetorit të këtij viti, “Librin e luftës” ta promovojë edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë.
/Epoka e re/