“Libri i luftës”, libër përplot me rreziqe
Haqif Mulliqi
Çastet më të “mira” për gazetarinë janë ato kur një popull e ka më së vështiri të jetojë nga sundimi i huaj. Besoj se këtë u përpoq të na dëshmojë gazetari dhe publicisti Nuhi Bytyçi me memoaret në “Librin e luftës”.
Në librat teorikë për gazetarinë shkruhet se raportimi nga lufta është kulmi i profesionit të gazetarëve. Po ashtu, se lufta është tregimi më i madh dhe më sfidues që mund të ndodhë në jetë dhe ajo “i jep gjithçka” një gazetari për t’u dëshmuar në profesion. Mirëpo, për ta dhënë kontributin e tij, të nevojshëm si profesionist, gazetari i luftës, para së gjithash, duhet të shkojë tek ajo luftë për të raportuar ashtu siç bëri miku ynë Nuhi Bytyçi, detajet e odisejadës të të cilit, si gazetar i guximshëm, profesionist dhe i përkushtuar, si kronist i një kohe, i mësojmë në lundrimin tonë si lexues, në dymbëdhjetë kapitujt e librit të tij mbi luftën dhe paqen e gënjeshtërt, që përfshin një hark kohor prej katër dekadash.
“Libri i luftës” është libër ku kuptohet se vetëm për një gazetar dhe një publicist të mirë raporti i tij me njerëzit dhe me ngjarjet, në fakt, është një luftë e vazhdueshme.
Në bazë të një parimi etik mbi dilemat njerëzore të raportit ndërmjet jetës dhe vdekjes, (kjo është doktrinë që mësohet në filozofinë e gazetarisë) thuhet se nuk ekzistojnë ngjarje për të cilat ia vlen që dikush ta lë kokën. Athua është kështu?!
Është e dëshmuar se te një reporter i mirëfilltë lufte gjithmonë ekzistojnë një duzinë ngjarjesh dhe kauzash për të cilat ia vlen të rrezikohet, por edhe të mbijetohet disi, ashtu brenda ndjeshmërisë së asaj që e thotë edhe Atë Zef Pllumi, pra: “Të rrnohet vetëm për me tregue”.
Nuhi Bytyçi rrezikoi shumë gjatë luftës sonë çlirimtare. Pse?
Sepse për të raportimi më i mirë nga lufta është, në thelb, një raportim kundër vetë luftës. Ai është një raportim për paqe. Një raportim për liri dhe për të ardhme. Një raportim për t’i rrëfyer ngjarjet dramatike ashtu siç ishin. Një raportim që është më shumë se kaq: një kauzë për të cilën ia vlen të rrezikohet edhe jeta.
“Libri i luftës” na tregon se zëri i Nuhi Bytyçit është i rrallë, i guximshëm në gazetarinë dhe publicistikën shqiptare. Thjesht, një prej zërave më të veçantë që pati gazetaria jonë deri më sot. Është ai zë që e tipizon një gazetar të mirë. Që e portretizon atë duke e shkëputur nga mediokriteti në profesion.
Kjo që na solli Nuhi Bytyçi është zë kujtimesh, i cili tingëllon aq qartë në mjedisin nga i cili buroi dhe të cilit i përket plotësisht saqë nganjëherë lëviz si ndonjë kaleidioskop, ku të gjithë ne mund ta gjejmë veten tonë.
Zëri i Bytyçit në këtë libër është zë i pamëdyshur dhe i pangulfatur nga kushdo që mëtoi ta bëjë këtë gjë dhe i cili u dha jehonë të gjitha atyre ngjarjeve dhe bartësve të tyre për kohën e caktuar si dhe për brezat që do të vijnë.