“Libri i luftës” prezanton edhe mbështetjen e maturantëve të Gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës dhënë UÇK-së më 1998 dhe 1999
Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars, rënia e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, betejat e mëpastajme të UÇK-së dhe krijimi i territoreve të lira, në vitin 1998 në mesin e të rinjve të Prishtinës, në mënyrë të veçantë në mesin e nxënësve të gjimnazit “Xhevdet Doda” kishin krijuar vetëdije të lartë kombëtare për të mbështetur luftën tonë për liri.
Në shtator të vitit 1998, maturantët e gjeneratës 1998-1999, e bënë atë që nuk e kishte bërë gjenerata e kaluar e maturantëve: u vendosën tërësisht në mbështetje të UÇK-së.
Udhëheqja e Rinisë shkollore, në të cilin bënin pjesë Samire Ademi, Besfort Rrecaj dhe nxënës tjerë të kësaj gjenerate, si dhe udhëheqja e revistës shkollore “Gjimnazisti”, Fiton Peja, Arianit Bytyçi, Bujar Sadiku, Arbëresha Selimaj, Kreshnik Gashi, Kushtrim Berisha, Krenare Sogojeva, Ermal Sadiku, Vegim Beqiri, Milot Goçi, Sandro Deva dhe nxënës tjerë, të mbështetur nga drejtori i shkollës, profesori Binak Ulaj dhe profesorët Sahit Berisha dhe Shyqri Obërtinca, organizuan tryezën në mbështetje të UÇK-së, ku ftuan profesorë, politikologë, liderë të lëvizjes studentore dhe intelektualë tjerë.
Madje, Arianit Bytyçi, Bujar Sadiku, Albana Rexhepi e Kushtrim Berisha kishin vizituar zonat e lira të kontrolluara nga UÇK-ja dhe pastaj bashkë me Fiton Pejën në mënyrë të hapur, duke publikuar emrat dhe mbiemrat e tyre, në “Gjimnazisti” dhe gazetën e studentëve “Bota e Re” kishin botuar shkrime afirmative dhe mbështetëse për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë mbështetje të hapur të maturantëve të Gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës, ata morën një mesazh falënderues nga njëri prej komandantëve të UÇK-së, anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Fatmir Limaj, e cila asokohe u botua në revistën “Gjimnazisti”
Tani në prag të 20-vjetorit të maturës së këtij brezi, të gjitha këto sakrifica janë të shkruara në mënyrë të detajuar dhe të ilustruara me fotografi në “Librin e luftës” të autorit Nuhi Bytyçi.
Në videon bashkëngjitur, mund ta shihni mesazhin falënderues të komandantit të UÇK-së të incizuar në Malet e Berishës më 28 nëntor 1998.
“Librin e luftës” mund ta porosisni përmes kësaj faqeje, si dhe mund ta blini në libraritë “Dukagjni”, “Artini-Toena” dhe “Buzuku” në Prishtinë, Librarinë “Altera” në Prizren, Librarinë “Dukagjini” në Pejë, Librarinë “Rilindja” në Ferizaj, Librarinë “ABC” në Gjilan, Librarinë “Galdimi” në Mitrovicë, “Migros” në Vushtrri, në Aeroportin e Prishtinës, si dhe në libraritë e qyteteve tjera të Kosovës.
https://www.facebook.com/libriiluftes/videos/2211530608908922/